Futbolli shqiptar po përjeton një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së tij sa i përket përfitimeve financiare nga kompeticionet europiane.
Egnatia dhe Dinamo janë ende në garë në play-off-et e UEFA-s dhe klubet shqiptare kanë tashmë miliona euro të garantuara, ndërsa një kualifikim i mëtejshëm mund t’i çojë të ardhurat e tyre në nivele rekord.
Egnatia, tashmë me 3.87 milionë euro të garantuara.
Egnatia është klubi shqiptar që ka përfituar më shumë financiarisht nga aventura europiane e këtij sezoni. Rrogozhinasit kanë siguruar deri tani rreth 3.870.000 euro nga fondet dhe bonuset e UEFA-s. Kampionët e Shqipërisë luajnë në play-off-in e Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrøm, me ndeshjen e parë më 20 gusht në Rrogozhinë dhe atë të kthimit më 27 gusht në Norvegji.
Një kualifikim do ta dërgonte Egnatian në fazën e ligës së Europa League, duke i garantuar klubit të ardhura të tjera të konsiderueshme. Por edhe në rast eliminimi, aventura europiane nuk do të përfundonte, pasi rrogozhinasit do të vazhdonin në fazën e ligës së Conference League. Kjo do të thotë se, pavarësisht rezultatit ndaj Lillestrøm, Egnatia e ka kthyer këtë sezon në një sukses të jashtëzakonshëm financiar për klubin, ndërsa shuma përfundimtare mund të rritet edhe më tej falë bonuseve të rezultateve dhe pikëve të grumbulluara në fazën e ligës.
Dinamo, 1.45 milionë euro dhe një premio speciale prej 500 mijë eurosh
Edhe Dinamo po përjeton një sezon europian me një impakt të madh financiar. Blutë kanë siguruar deri tani rreth 1.450.000 euro nga UEFA dhe tani janë një hap larg fazës së ligës së Conference League. Skuadra kryeqytetase përballet me Pafos në play-off, me sfidën e parë më 20 gusht në “Elbasan Arena” dhe ndeshjen e kthimit më 27 gusht në Qipro.
Por për Dinamon ekziston edhe një stimul i jashtëzakonshëm jashtë bonuseve zyrtare të UEFA-s. Presidenti Ardian Bardhi ka premtuar një premio prej 500.000 eurosh për ekipin në rast të kualifikimit në fazën e ligës. Pra, për Dinamon bëhet fjalë për një mundësi të dyfishtë: miliona të tjera nga UEFA dhe një premio të jashtëzakonshme nga presidenti i klubit, në një sezon që mund të hyjë në historinë e bluve.










