“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”. Kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve Poli Boriçit, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Ermir Kërtezi.
Sipas deklarimit të tij, motivi i sulmit lidhet me një ngjarje të ndodhur vite më parë. Boriçi ka pretenduar se Kërtezi i kishte plagosur të vëllain dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kanë qenë të rënda, deri në paralizimin e tij. Por përballë këtij versioni qëndron deklarimi i personit që ishte shënjestra e sulmit. Kërtezi ka thënë se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar dhe se dy familjet banonin pranë njëri-tjetrit dhe nuk kanë patur probleme për një dekadë e gjysmë.
Ndërkohë burime nga grupi hetimor bëjnë më dije se janë duke hetuar edhe pista të tjera ndoshta një konflikt i kohëve të fundit mes vetë autorit dhe shënjestrës.
Ngjarja e pazakontë ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës në lokalin në hyrje të qytetit të Elbasanit, i cili në ato momente ishte plot me klientë.
Nga keto pamje të siguruara nga TemA duket objektivi i atentatit, 50-vjeçari Kërtezi, i veshur me bluzë të zezë. Ai fillimisht ndodhej brenda lokalit, kalon mes përmes ambienteve të jashtme të barit, dhe ndalet për pak sekonda jashtë.
Por lëvizjet e tij janë ndjekur nga atentatori Poli Boriçi, i cili ishte në kafe në shoqërinë e bashkëshortes. 52-vjeçari Boriçi çohet menjëherë, nxjerr pistoletën, ia vendos në kokë Kërtezit por arma i bllokohet. Objektivi reagon shpejt, shtyn atentatorin e tij, dhe ka arritur të largohet me shpejtësi. Boriçi e ka ndjekur për pak metra personin që donte ta eliminonte dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Por arratia i ka zgjatur vetëm pak pasi policia ka mundur ta lokalizojë dhe ta arrestojë.
Arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në atentat u sekuestrua si provë materiale. Tashmë hetuesit po verifikojnë historinë e konfliktit mes palëve, verifikimin se ç’ka ndodhur 15 vite më parë dhe rrethanat në të cilat marrëdhëniet mes dy familjeve, sipas shënjestrës, ishin normalizuar.










