Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë vetëm edhe disa orë kohë për t’u mbledhur, të premten, në ditën e fundit të afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për përfundimin e seancës konstituive të organit ligjvënës.
Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, njohës të çështjeve juridike, ndajnë mendimin se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por japin interpretime të ndryshme për hapat që duhet ose mund të pasojnë.
Cakolli: Nga nesër, nuk mund të thirret seanca konstituive
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta fuste Kosovën në një situatë të shkeljes së rëndë kushtetuese, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai argumenton se afati i 7 gushtit është absolut, dhe se nuk mund të tejkalohet, pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të tij.
“Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten”, thotë Cakolli.
Me arsyetimin se duhet kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 6 gusht kërkoi që seanca konstituive të shtyhej, dhe nuk dha emër për kryeparlamentar, duke e ndërprerë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Por, nëse konstituimi nuk ndodh deri në mesnatë, Cakolli vlerëson se nuk do të ekzistojë më bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.
“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t’i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, thotë Cakolli.










