Cristiano Ronaldo ka paralajmëruar se mund t’i japë fund karrierës së tij futbollistike në përfundim të këtij sezoni.

Ylli portugez, 41 vjeç, është shprehur për revistën ‘Vogue’ se ky mund të jetë viti i fundit në futboll për të, por ai ka një dëshirë: ta mbyllë karrierën me një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Deklarata e CR7 vjen vetëm disa javë pas paraqitjes së tij në Kupën e Botës 2026 me Portugalinë, turneu i gjashtë botëror në karrierën e tij.

Përpara kompeticionit, sulmuesi kishte konfirmuar se Kupa e Botes 2026 do të ishte i fundit për të, por kishte paralajmëruar se vendimin për pensionimin do ta merrte vetë.

Portugalia u eliminua nga Spanja në fazën e 1/8-ave.

Sulmuesi hyri në histori si lojtari i parë që ka shënuar në gjashtë edicione të ndryshme të Botërorit, ndërsa e mbylli kompeticionin me 11 gola në 27 ndeshje.

Pavarësisht moshës, Ronaldo vazhdon të jetë protagonist me fanellën e Al Nassr në kampionatin saudit, ku vijon të shënojë me ritëm të lartë. Portugezi është gjithashtu pranë një tjetër rekordi të jashtëzakonshëm: arritjes së 1,000 golave në karrierë.

Ai ka kontratë me klubin saudit deri në vitin 2027, ndërsa në karrierën e tij ka fituar thuajse çdo trofe dhe çmim individual të rëndësishëm.

Ikona portugeze numëron pesë “Topa të Artë”, pesë trofe të Champions League, tituj kampion në Angli, Spanjë dhe Itali, si dhe Kampionatin Europian dhe Nations League me Portugalinë.

Me 146 gola për kombëtaren, Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj, ndërsa është edhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Real Madridit.