Dështon përfundimisht transferimi i Zion Suzukit te Paris Saint Germaini. Klubi francez dhe Parma e kishin arritur marrëveshjen për transferimin e tij për 35 milionë euro, por gjërat u komplikuan shumë për shkak të problemeve mes agjentëve të lojtarit dhe Paris Saint Germainit për të gjetur një akord në lidhje me komisionet.

Suzuki, në ditët e kaluara, ka qenë objektiv edhe i merkatos së Juventusit që synonte ta merrte me huazim nga parizienët për një vit.

Tani, sipas gazetarit Fabrizio Romano, japonezi është vënë në shënjestrën e Aston Villas, ndërsa bardhezinjtë janë orientuar nga Guglielmo Vicario, Lucas Chevalier apo Anatoliy Trubin.

Por skenari më i bujëshëm është ai për Emiliano Martinez. Nëse Aston Villa do të mund të sigurojë shërbimin e Suzukit, për Zonjën e Vjetër kthehen shanset për të arritur te portieri argjentinas, të cilin bardhezinjtë e ndiqnin prej kohësh. Oferta e klubit nga Birmingham për Suzukin është 30 milionë euro, 5 milionë më pak nga shifra e ofruar nga Paris Saint Germainit.