Gazetari dhe botuesi Mero Baze ka ngritur kritika të forta ndaj mënyrës se si po funksionon drejtësia e re në Shqipëri, duke vlerësuar se SPAK-u ka qenë institucioni i vetëm që ka ndërmarrë një betejë reale kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por se kjo betejë, sipas tij, po zhvillohet shpesh me metoda joprofesionale dhe represive.
Në një intervistë për Apostrof nga Bjorn Runa, Baze e cilëson korrupsionin në nivelet e larta si problemin që ushqen gjithë sistemin e korrupsionit në administratë.
“Korrupsioni i nivelit të lartë është katalizatori që mban gjallë korrupsionin e administratës poshtë”, thotë ai, duke argumentuar se kur paratë kalojnë nga vartësi te drejtori dhe më pas te ministri, korrupsioni kthehet në sistem dhe bëhet thuajse i pamundur për t’u luftuar.
Sipas Bazes, SPAK-u është institucioni që realisht e ka goditur këtë fenomen, por ai kundërshton mënyrën se si po zhvillohet kjo betejë.
“SPAK-u është heroi i vetëm i vërtetë i betejës kundër korrupsionit në Shqipëri, por me metoda po aq të padrejta dhe joprofesionale sa çdo gjë tjetër në Shqipëri. Nuk them që është i korruptuar, por është aq i paaftë dhe i pazoti për ta luftuar korrupsionin me mjetet ligjore, sa krijon një klimë tjetër represioni.”
Ndërkohë, ai shton se një nga objektivat politikë të Reformës në Drejtësi ishte dhënia fund e pandëshkueshmërisë, por qëllimi themelor duhej të ishte krijimi i një sistemi drejtësie më profesional dhe më pak të korruptuar.
“Qëllimi kryesor ishte që të bënim një drejtësi të pakorruptuar dhe më profesionale. Nuk e kemi bërë as më profesionale, as më pak të korruptuar”, deklaron Baze, ndërsa shprehet gjithashtu kritik me ndikimin që institucionet ndërkombëtare kanë mbi drejtësinë e re, duke theksuar se drejtësia shqiptare ka kaluar “nga varësia që kishte nga klasa politike vendase, tek një varësi burokratike ndërkombëtare”.
Një tjetër pikë ku Baze ndalet gjatë është edhe çështja e shumë debatuar e paraburgimeve. Ai argumenton se dëshira e opinionit publik për të parë politikanë në burg nuk duhet të zëvendësojë standardet e një drejtësie profesionale.
“Armiku më i madh i drejtësisë në botë është drejtësia popullore”, thotë Baze, duke sjellë si shembull gjyqet popullore të fillimit të regjimit komunist, kur turma kërkonte dënimin e të akuzuarve.
“Në qoftë se ne do ta mbështesim drejtësinë mbi opinionin publik, mbi preferenca politike, mbi përpjekje për të kënaqur turmat, jo që s’kemi bërë drejtësi, por kemi bërë një krim të ri ndaj shoqërisë”, shprehet ai.
Sipas tij, problemi sot nuk është domosdoshmërisht se drejtësia kontrollohet nga politikanët, por se institucionet e drejtësisë po veprojnë vetë si aktorë politikë.
“Ne jemi tani në një moment që drejtësia është më politike, jo se varet nga politikanët, po bën vetë politikë”, thotë ai. Drejtësia po prodhon më shumë politikë tani sesa vetë politika”, shprehet Baze.
Sipas tij, edhe përpjekja për të krijuar një lloj ekuilibri mes hetimit të figurave të mazhorancës dhe opozitës mund ta bëjë drejtësinë të duket sikur po ndërton vetë balanca politike.
Ai thekson gjithashtu se SPAK-u dhe GJKKO-ja rrezikojnë të kthehen nga institucione të mandatuara për të hetuar dhe gjykuar, në aktorë që përcaktojnë zhvillimet politike.
“Bëhen zëri kryesor i zhvillimit politik, bëhen aktori kryesor politik në vend, ndërkohë që ne i kemi mandatuar që të bëjnë drejtësi, ata bëjnë politikë”, përfundon ai.










