SPAK ka zbuluar detaje të reja në lidhje me arrestimin e Ermal Beqirajt në Francë, teksa po fluturonte me avionin e tij mbi një central bërthamor në territoret franceze.
Prokuroria e Posaçme njofton se më 19 qershor 2026, Prokurorët e Posaçëm të SPAK, kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar mbështetjen e autoriteteve franceze në gjetjen Ermal Beqirajt.
Kjo kërkesë, sipas autoriteteev ka ndodhur si pasojë e informacioneve që dispononin se biznesmeni ndodhej në territorin e Republikës Franceze.
Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Prokuroria e Posaçme i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë shqiptare, për t’i përcjellë autoriteteve të Francës, kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirajt në Shqipëri.
Hetimet gjyqësore po kryhen tani nga njësi të specializuara të Drejtorisë Kombëtare të Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me SPAK-un.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime për llogari të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për llogari të të cilit, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit E.B, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.
Ndaj personave nën hetim dhe konkretisht shtetasve E.A dhe E.B. me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme te Shkalles se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.
Me shkresën nr. 43981 prot, datë 24.12.2025, nga ana e Prokurorisë së Posaçme, i është kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpallja në kërkim ndërkombëtar të këtyre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Shpallja në kërkim ndërkombëtar është pasqyruar edhe në database të Interpol Tirana me “njoftim të kuq” (red notice).










