Administrata Trump përdori një kanal të fshehtë komunikimi me udhëheqjen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke anashkaluar përkohësisht negociatorët zyrtarë iranianë, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-ve dhe Iranit.

Sipas tre burimeve me dijeni të drejtpërdrejtë për zhvillimet, Shtëpia e Bardhë iu drejtua presidentit të Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Nechirvan Barzani, për të vendosur kontakt me drejtuesit e fuqishëm të IRGC-së.

Ky zhvillim, i cili nuk ishte raportuar më parë, tregon vështirësitë me të cilat është përballur administrata amerikane gjatë negociatave me Teheranin, veçanërisht për shkak të pasigurisë së Washingtonit se kush kishte realisht autoritetin për të marrë vendime në emër të Iranit.

Washingtoni dyshoi te negociatorët iranianë

Pas një armëpushimi më 8 prill dhe një samiti të zhvilluar disa ditë më vonë në Islamabad, SHBA-të dhe Irani nisën përpjekjet për të negociuar përfundimin e luftës.

Në fillim të majit, administrata Trump besonte se një marrëveshje ishte pranë. Por përgjigjja e Iranit u vonua për më shumë se dhjetë ditë.

Negociatorët amerikanë nisën të dyshonin se ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf nuk kishin autoritetin e plotë për të arritur një marrëveshje dhe se vendimet e tyre mund të ishin duke u bllokuar nga Garda Revolucionare.

Kjo e shtyu Shtëpinë e Bardhë të kërkonte një kanal të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e IRGC-së.

Gabbard kontaktoi Barzanin

Rreth 10 majit, drejtoresha e atëhershme e Inteligjencës Kombëtare amerikane, Tulsi Gabbard, kontaktoi Nechirvan Barzanin.

Sipas dy burimeve me dijeni për bisedën, Gabbard i kërkoi Barzanit të ndihmonte në vendosjen e kontaktit me komandantin e Gardës Revolucionare, gjeneralin Ahmad Vahidi.

Barzani konsiderohej një ndër personat e paktë që kishte besimin e figurave të rëndësishme si në Washington, ashtu edhe në Teheran. Gjatë luftës Iran-Irak, ai kishte jetuar në Iran dhe kishte studiuar në Universitetin e Teheranit. Ai flet rrjedhshëm persisht dhe ka lidhje personale me zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë figura të rëndësishme të IRGC-së.

Ish-këshilltari amerikan për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, e përshkroi Barzanin si një figurë pragmatike, të respektuar në rajon dhe me kontakte të shumta si në Teheran, ashtu edhe në Washington.

Sipas burimit, Gabbard i bëri të qartë Barzanit se po vepronte me miratimin e presidentit Trump dhe të nënpresidentit JD Vance.

Qëllimi i Shtëpisë së Bardhë ishte të kuptonte nëse udhëheqja e IRGC-së mbështeste atë që po negocionin Araghchi dhe Ghalibaf apo kishte kërkesa të tjera.

Kontakti sekret me gjeneralin Vahidi

Barzani pranoi të ndërmjetësonte dhe kontaktoi personat e tij në Gardën Revolucionare.

Ai kërkoi të fliste drejtpërdrejt me gjeneralin Ahmad Vahidi. Sipas burimeve, pala iraniane pranoi.

Më 14 maj, një zyrtar i IRGC-së mbërriti në zyrën e Barzanit në Erbil, kryeqytetin e Kurdistanit irakian, duke marrë me vete një telefon të enkriptuar për të zhvilluar një komunikim të sigurt.

Gjatë bisedës, Barzani e pyeti Vahidin nëse ishte në një linjë me negociatorët iranianë.

Sipas një burimi me dijeni të drejtpërdrejtë, Vahidi konfirmoi se ishte dakord me ta dhe se Garda Revolucionare mbështeste zgjidhjen e krizës përmes negociatave.

Pas bisedës, Barzani kontaktoi menjëherë Gabbard dhe e informoi për përgjigjen e gjeneralit. Gabbard më pas ia përcolli informacionin Shtëpisë së Bardhë.

SHBA kërkoi negociata sekrete në Erbil

Pas këtij komunikimi, administrata Trump ndërmori një tjetër hap.

Sipas burimeve, Washingtoni i kërkoi Barzanit që të organizonte në Erbil negociata sekrete mes përfaqësuesve të lartë amerikanë dhe iranianë.

Barzani ua përcolli propozimin palës iraniane.

Teherani nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë, por shfaqi shqetësime serioze për sigurinë e delegacionit.

Zyrtarët iranianë dyshonin se inteligjenca izraelite kishte një numër të madh asetesh në Kurdistanin irakian dhe kishin frikë se mund të bëheshin objektiv i një atentati në Erbil ose gjatë udhëtimit drejt dhe nga qyteti.

Për këtë arsye, takimi sekret në Erbil nuk u zhvillua.

Lufta ndryshoi ekuilibrat e pushtetit në Iran

Sipas raportimit, lufta ka ndryshuar ndjeshëm strukturën e pushtetit në Iran.

Vrasja e liderit suprem Ali Khamenei dhe e figurave të tjera të larta politike, e ndjekur nga rreth 40 ditë luftime, ka forcuar ndjeshëm ndikimin e Gardës Revolucionare në vendimmarrjen për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme.

Pasiguria rreth gjendjes së liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei dhe mungesa e tij nga jeta publike gjatë javëve të para të luftës e kanë forcuar më tej pozicionin e komandantëve të IRGC-së.

Kjo ka krijuar një problem të madh për Uashingtonin: edhe nëse negociatat zhvillohen me zyrtarë të lartë të qeverisë iraniane, mbetet pyetja nëse ata kanë autoritetin përfundimtar për të zbatuar një marrëveshje.

Negociatat aktualisht janë të bllokuara

Ndërkohë, ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari vazhdojnë të përcjellin mesazhe mes SHBA-ve dhe Iranit, por deri tani nuk ka pasur përparim të rëndësishëm.

Disa burime rajonale besojnë se pala pakistaneze mund të jetë duke dhënë një pasqyrë më optimiste të negociatave se sa e justifikojnë zhvillimet reale, me synimin për të krijuar një ndjenjë progresi dhe për të thyer ngërçin.

Në këtë situatë, Barzani mund të luajë sërish një rol.

Sipas një burimi me dijeni për çështjen, ai i ka dërguar së fundmi mesazhe Shtëpisë së Bardhë duke ofruar ndihmën e tij për rifillimin e negociatave mes SHBA-ve dhe Iranit.

Megjithatë, sipas McGurk, problemi kryesor nuk është gjetja e një ndërmjetësi të ri, por politika e Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, një çështje që sipas tij nuk pritet të ndryshojë së shpejti.

Zbulimi i këtij kanali sekret tregon se administrata Trump është përballur me një nga problemet më të ndërlikuara të negociatave me Teheranin: jo vetëm se çfarë kërkon Irani, por kush e ka realisht fuqinë për të thënë “po” dhe për ta zbatuar atë marrëveshje.