Porti i Vlorës po përjeton një fluks të lartë udhëtarësh këtë fundjavë, për shkak të sezonit turistik.
Me tragetin e parë, i cili mbërriti në orët e para të mëngjesit nga Italia, në Vlorë mbërritën rreth 900 pasagjerë, ndërsa me tragetin e dytë pritet të mbërrijnë rreth 1,100 udhëtarë të tjerë.
Fluksi i lartë i lëvizjeve nuk lidhet vetëm me shqiptarët që jetojnë në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian, por edhe me numrin e madh të turistëve të huaj që kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Italia drejt Vlorës dhe destinacioneve të tjera turistike në Shqipëri.
Lëvizjet e shumta pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së diel. Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve, në linjën Brindisi–Vlorë pritet të operojnë tre tragete.
Ndërkohë, në Portin e Vlorës vijon puna me gjashtë sportele për përpunimin e dokumentacionit, me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe shmangien e pritjeve e radhëve të gjata për pasagjerët.
Autoritetet portuale janë në gatishmëri për të përballuar fluksin e lartë të lëvizjeve gjatë fundjavës, në një periudhë kur sezoni turistik ka sjellë rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve drejt Shqipërisë.









