Pas thirrjeve në rrjetet sociale për një valë të re migrantësh drejt Ceutës, Maroku dhe Spanja kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë në kufirin e enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut. Në qytetin kufitar maroken Fnideq janë vendosur pengesa të tjera me tela me gjemba, raportuan gazetarët. Përveç kësaj, në rrugët hyrëse janë ngritur pika të shumta kontrolli. Në vetë kufirin janë vendosur edhe pompa uji për shpërndarjen e masës së njerëzve në rast tentativash për kalim kufiri.

Forcat e sigurisë marokene janë pozicionuar në plazhin e Fnideq-ut, prej nga në fund të korrikut shumë migrantë u nisën në drejtim të Ceutës. Edhe anijet patrulluese po mbikëqyrin vijën bregdetare.

“Të gjitha forcat e nevojshme” në veprim

Spanja kishte ngritur më herët një barrierë detare dhe kishte dërguar gjithashtu qindra policë dhe ushtarë shtesë në Ceutë. Ata do të qëndrojnë aty për aq kohë sa ta kërkojë situata, deklaroi Ministria e Brendshme në Madrid. “Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha forcat e nevojshme për të parandaluar që të përsëriten ngjarje si ato të 30 korrikut”, tha së fundmi ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska.

Fluksi i madh i migrantëve ka shkaktuar mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian. Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së, gjatë një videokonference emergjente në fillim të gushtit, kërkuan masa më të ashpra kundër rrjeteve të trafikantëve dhe një politikë më konsekuente për kthimin e migrantëve.

Rrjetet sociale nën vëzhgim

Në fillim të kësaj jave, qeveria marokene në Rabat njoftoi se po monitoron”përhapjen e postimeve në rrjetet sociale dhe mesazheve me origjinë të panjohur”, të cilat bënin thirrje për një kalim masiv këtë të shtunë (15 gusht). Autoritetet thanë se organizatorët dhe pjesëmarrësit do të ndiqen penalisht. Në lidhje me këtë çështje janë kryer tashmë disa arrestime.

Valë e migrantëve para rreth dy javësh ishte e paprecedentë deri më tani. Sipas vlerësimeve, deri në 80.000 persona arritën në Ceutë, shumica prej tyre duke notuar. Sipas njoftimit më të fundit zyrtar të autoriteteve spanjolle, në det janë gjetur 83 trupa të pajetë.

Shumë nga të ardhurit u kthyen në Marok brenda pak orësh ose ditësh. Rreth 5.000 persona ndodhen ende në Ceutë, sipas Grande-Marlaskës. Ministri i Brendshëm pranoi se do të duhet ende pak kohë që enklava të kthehet në normalitet./DW