Ushtarët izraelitë kanë marrë pozicione në disa shtëpi palestineze në fshatin Kusra, në Bregun Perëndimor, pas një rrethimi të nisur nga kolonët hebrenj gjatë fundjavës. Sipas autoriteteve palestineze, kolonët bllokuan rrugën që të çonte te disa shtëpi, ngritën tenda në oborret e tyre dhe penguan banorët të hynin apo të dilnin. Më herët, furnizimi me ujë dhe energji elektrike ishte ndërprerë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, rreth 15 palestinezë, mes tyre edhe dy fëmijë, raportohet se kanë mbetur të bllokuar. Familjet kanë deklaruar se përballen me mungesë ushqimi dhe ilaçesh, ndërsa akuzojnë kolonët për dëmtimin e pronave të tyre. Kryetari i bashkisë së Kusrës tha se ushtria izraelite ka evakuuar dhe ka marrë nën kontroll gjashtë shtëpi, përfshirë ato ku ndodheshin familjet e rrethuara.
Ushtria izraelite deklaroi se vendosja e trupave në zonë synon të ruajë sigurinë dhe të mbrojë banorët. Sipas saj, ushtarët kanë marrë udhëzime që banorët palestinezë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe se operacioni mund të zgjasë deri të dielën. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për situatën, duke deklaruar se banorët janë të bllokuar dhe pa akses në nevojat bazë.
Tensionet në zonë janë shtuar në një kohë kur kolonët izraelitë po përballen me kritika të forta për zgjerimin e vendbanimeve dhe për incidente të dhunshme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i ka cilësuar veprimet e kolonëve në këtë rast si kriminale dhe ka bërë thirrje për ndërhyrje të autoriteteve izraelite. Bregu Perëndimor, i pushtuar nga Izraeli që prej vitit 1967, është kthyer në një nga pikat kryesore të tensionit mes palestinezëve dhe kolonëve izraelitë










