Vetëm pak minuta pas tensioneve të shkaktuar në seancën e sotme të Kuvendit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh për mediat vendase se nëse sulmi me vezë është çmimi që opozita të ulet në tryezë, atëherë ai e pranon.

Kryeministri i vendit tha se po kërkon një marrëveshje politike për të zgjedhur presidentin e Republikës, proces i cili pasi dështoi disa muaj më pari u hapi rrugën zgjedhjeve të reja.

Më tej, Kurti riktheksoi se zgjedhjet e reja nuk do të ishin një ngjarje në dobi të Kosovës, pas përsëritjeve të vazhdueshme në vazhdën e ngërçit politik në vend.

“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur të zgjidhet kryetari dhe 5 nënkryetarët. Edhe nëse bëhen aksione të tilla kundër meje, unë nuk jam këtu për veten time, jam për Kosovën, kërkojnë të ulemi bashkë dhe për Kosovën të bëjmë marrëveshje.

Nëse gjuajta me vezë dhe goditja e pantallonave të kryeministrit, është çmimi që unë duhet të paguajë në mënyrë që ata të ulen e të bisedojmë, jam i lumtur ta paguaj. Vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, tha Kurti.