Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka bërë apel për kujdes maksimal nga qytetarët për të shmangur zjarret, ndërsa theksoi se ekipet e Shërbimeve Zjarrfikëse dhe të Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatave të krijuara nga temperaturat e larta.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se temperaturat e larta sjellin rrezik të shtuar për përhapjen e zjarreve dhe se strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore.

“Ekipet e Shërbimeve Zjarrfikëse dhe ato të Mbrojtjes Civile janë në terren, duke punuar me profesionalizëm për mbrojtjen e jetës, pronës dhe pasurive natyrore”, tha Koçiu.

Sipas saj, falë reagimit të shpejtë, koordinimit dhe menaxhimit efektiv të situatave, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll në kohë të shkurtër, duke shmangur pasoja më të rënda.

Koçiu shprehu mirënjohjen për efektivët zjarrfikës, të cilët vijojnë të jenë në shërbim të qytetarëve edhe në kushtet e temperaturave të larta.

“Mirënjohje për çdo efektiv që, edhe në temperaturat më të larta, vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të Shqipërisë”, tha Koçiu.

Zëvendëskryeministrja Koçiu u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me strukturat emergjente për parandalimin e situatave të rrezikshme.