Policia e Tiranës ka zhvilluar kontrolle intensive në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit. Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë verifikuar 61 automjete luksoze dhe 82 shtetas me precedentë kriminalë. Njëmbëdhjetë automjeteve luksoze u janë hequr xhamat e errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa në total janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe në xhamin e përparmë të mjeteve.

Gjatë operacionit u shoqëruan edhe gjashtë shtetas, pasi iu gjetën lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa një drejtues automjeti u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në kuadër të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të Tiranës.

Si rezultat i kontrolleve:

* janë kontrolluar dhe verifikuar 61 automjete luksoze;

* janë verifikuar 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme;

* 11 automjeteve luksoze iu janë hequr xhamat e errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor;

* janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar, një pjesë e tyre në xhamin e përparmë, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor;

* janë shoqëruar 5 automjete në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për verifikime të mëtejshme, njëri prej tyre mjet i blinduar;

* janë shoqëruar 6 shtetas, pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli, shkopinj metalikë, si dhe është konstatuar një drejtues automjeti në gjendje të dehur.