Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka dënuar sulmin rus ndaj një qendre tregtare në Kryvyi Rih të Ukrainës, ku humbën jetën 16 persona dhe u plagosën rreth 130 të tjerë.
Në një reagim në X, Kallas e cilësoi sulmin si një terror të planifikuar me qëllim për t’i bërë qytetet ukrainase të pabanueshme.
“Ky është terror i planifikuar. Rusia dëshiron t’i bëjë qytetet ukrainase të pabanueshme”, shkroi Kallas.
Ajo njoftoi gjithashtu se po propozon paketën “më gjithëpërfshirëse” të sanksioneve ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës.
“Po propozoj listimet më të gjera të sanksioneve ndaj Rusisë që nga fillimi i luftës. Presioni duhet të intensifikohet derisa Moska t’i japë fund luftës”, deklaroi Kallas.
Kallas bëri të ditur se ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të BE-së do të diskutojnë zgjerimin e mbështetjes për Ukrainën, përfshirë forcimin e mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave.
Takimi pritet të zhvillohet në Dublin pas më pak se dy javësh.










