Me rastin e Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026, ministrat Blendi Gonxhja dhe ata italianë, konkretisht i Sportit e Rinisë Andrea Abodi dhe ministri për Turizmin, Gianmarco Mazzi, zhvilluan një bisedë pune me synimin për të konsoliduar më tej bashkëpunimin mes Tiranës dhe Romës edhe në fushën e sportit e rinisë.
Në veçanti, nënvizuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira mes dy vendeve, si dhe realizimin e projekteve konkrete, të zbatueshme në një afat të menjëhershëm, me fokus në formimin e drejtuesve dhe specialistëve teknikë, zhvillimin e infrastrukturës sportive, si dhe kërkimin e aplikuar në shkencën dhe mjekësinë sportive, me vëmendje të veçantë ndaj luftës kundër dopingut.
Delegacioni shqiptar shprehu interes dhe vlerësim të veçantë për përvojën italiane në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, si Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Milano Cortina 2026 dhe Lojërat XX Mesdhetare, të sapofilluara. Kjo përvojë merr rëndësi të posaçme edhe në perspektivën e transferimit të ekspertizës italiane për organizimin e edicionit XXI të Lojërave Mesdhetare, Prishtinë dhe Durrës, në vitin 2030.
Së bashku ritheksuan rolin themelor të sportit dhe aktivitetit fizik në shkolla dhe universitete, si një instrument i rëndësishëm për gjithëpërfshirjen dhe kohezionin social, si dhe për zhvillimin arsimor e kulturor të të rinjve.
Gjatë takimit, Abodi prezantoi gjithashtu instrumentet për matjen e kontributit të sportit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe të nismës së llogarisë satelitore të sportit, si dhe modelet italiane të Institutit për Kredinë Sportive dhe Kulturore dhe të “Sporti e Shëndeti”, ndaj të cilave shprehëm interes të veçantë si shembuj referimi.
U ra dakord që bashkëpunimi dypalësh të strukturohet përmes nënshkrimit, brenda fundit të muajit shtator, të një Protokolli Mirëkuptimi e Veprimi, i cili do të përcaktojë kuadrin institucional të bashkëpunimit, si dhe përmbajtjen, afatet dhe modalitetet konkrete të zbatimit të angazhimeve.










