Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Lajmi konfirmohet nga burime pranë SPAK, sipas të cilave prokuroria i kishte kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të dërgonte kërkesën për ekstradim pranë autoriteteve kompetente franceze.

Bashkëngjitur kërkesës është edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin ndaj Beqirajt të masës së sigurisë “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për kryerjen e shtatë veprave penale.

Ermal Beqiraj u arrestua disa ditë më parë në Francë, pasi u ndalua teksa fluturonte me një avion privat mbi një central bërthamor. Ndërkohë, dy ditë më parë, SPAK kërkoi sekuestrimin e disa pasurive të tij në Francë, të dyshuara si me origjinë kriminale. Në kërkesë përfshihen llogari bankare me një vlerë totale mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.

Sipas SPAK, Beqiraj dyshohet se është i përfshirë në abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.