Interi duket se po përgatitet për ndryshime në pronësinë e klubit. Është ende herët të flitet për një gjë të tille, por zërat e muajve të fundit flasin se disa investitorë kanë trokitur në dyert e Oaktree, pronari i klubit zikaltër, për t’u bërë pjesë e Interit si aksionerë në minorancë. Fondi amerikan për momentin nuk ka dhënë asnjë përgjigje dhe po studion oferta të ndryshme.
Mësohet se ata që janë shfaqur janë si fonde të mëdha investimesh ashtu edhe kompani konsulencash italiane dhe të huaja që menaxhojnë pasuri të dinastive të rëndësishme sipërmarrëse. Sipas të përditshmes ‘Corriere Della Sera’, Oaktree mund të vendosë të shesë një pjesë të kuotave edhe për t’i dhënë një vlerë të sigurt merkatoje Interit.
Për momentin vlera, duke përfshirë edhe borxhet, varion nga 1.5 në 2.1 miliardë euro. Operacioni që do të sillte aksionerët në minorancë do të fiksonte një çmim për klubin. Gjatë dy viteve të drejtimit të Interit, Oaktree ka bërë që bilanci financiar i klubit milanez të kthehet të jetë pozitiv dhe ka drejtuar operacionet për ndërtimin e stadiumit të ri duke rritur ndjeshëm vlerën e Interit.










