Ditën e djeshme një situatë shqetësuese është shpërndarë gjerësisht në rrjet dhe media të ndryshme, nga zona e Gjirit të Lalëzit, në plazhin e Hamallajt, prej ku u dyshua se ujërat e zeza po derdheshin drejtpërdrejt në det.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndotjen e bregdetit në një prej zonave më të frekuentuara nga pushuesit, ndërsa më vonë kanali shkarkues është mbyllur me barrierë rëre nga një mjetë i rëndë.
Ndërsa është bërë edhe një reagim zyrtar nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës, e cila pranoi se në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj ishte konstatuar ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare. Por mohoi që bëhej fjalë për ujëra të zeza, ashtu siç u ngritën dyshimet. Duke theksuar se Hidrovori Hamallaj gjatë verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.
Shkak për ngjyrosjen e errët të shkaktuar në ujë, SHRUKD ka bërë baltën, llumëra dhe sedimente të akumukluara në kanal, të cilat janë trazuar dhe transportuar drejt bregdetit nga baticat, zbaticat, erërat e forta dhe dallgëzimi.
“Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.”, ka shkruar ndër të tjera insttitucioni.
Njoftimi i plotë:
Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj
Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare.
Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.
Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.
SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar.
Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det.
Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.










