Ka ndërruar jetë Ana Dyrmishi, 25-vjeçarja nga Durrësi e cila mbeti e plagosur rëndë nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës më 16 gusht.

E reja kishte pësuar djegie në rreth 85% të trupit dhe prej ditësh luftonte për jetën. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo ishte transferuar drejt Turqisë për mjekim më të specializuar.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e 25-vjeçares vijoi të ishte kritike dhe ajo ndërroi jetë ditën e sotme.

Ana Dyrmishi jetonte së bashku me familjen e saj në zonën e Shkozetit, në Durrës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, kur një zjarr përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës.

Si pasojë e flakëve mbetën të plagosur gjashtë persona. Situata brenda godinës ishte e rëndë, ndërsa disa prej personave që ndodheshin në hotel u detyruan të largoheshin përmes ballkoneve për t’u shpëtuar flakëve.

25-vjeçarja ishte personi që kishte marrë plagët më të rënda nga zjarri. Pas gati dy javësh në gjendje kritike, ajo nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve.