Pasi PDK dhe AAK refuzuan ftesën për takim, ushtruesja e detyrës së Presidentes në Kosovë, Albulena Haxhiu thotë se pa një marrëveshje për Presidentin, vendi do të shkojë sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Të gabuar dhe të pamatur e cilëson Haxhiu refuzimin e ftesës nga dy partitë opozitare të cilat thotë se kanë mungesë vullneti për të tejkaluar pozicionet bllokuese.

Sipas saj, tre procese zgjedhore rresht me rezultate të përafërta janë dëshmi se pa dialog politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara.

Ndërkohë Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili i cili nuk dërgoi përfaqësues në takim tha se ftesa është tentativë manipulimi për afatet.

Ftesën e Haxhiut dhe Kurtit për takim e refuzoi edhe AAK. Lidhja Demokratike është partia e vetme që zhvilloi takime me përfaqësues të Vetëvendosjes.

Abdixhiku hoqi dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë LDK-së dhe shprehu gatishmërinë për negociata për të gjetur kandidat konsensual.

Parlamenti mbetet i pakonstituuar teksa LVV thotë se do ta thërrasë sërish seancën kur të ketë sinjale të qarta për marrëveshje politike për presidentin, që do të evitonte zgjedhjet.