Një konflikt brenda një familjeje në fshatin Majtarë në Dibër ka përshkallëzuar në përdorimin e armës. Sipas raportimeve të policisë, një 34-vjeçar është ndaluar nga policia, pasi ka dhunuar kunatën e tij, shtetasen F. E., 40 vjeçe, për motive që ende nuk dihen.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim djali i 40-vjeçares, shtetasi F. E., 19 vjeç, i cili gjatë konfliktit ka qëlluar me armë zjarri në ajër me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij, shtetasit D. E., 34 vjeç.

Ndërkohë, mësohet se për këtë ngjarje janë proceduar penalisht në gjendje të lirë tre persona të tjerë: F. E., 40 vjeçe, dhe A. E., 25 vjeçe, pasi kanë dhunuar njëra-tjetrën, si dhe shtetasi E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.

Njoftimi i plotë i policisë:

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në një familje në fshatin Majtarë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përfshirjen në konflikt.

Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve policore, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit dhe u vu në pranga shtetasi D. E., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka dhunuar kunatën e tij, shtetasen F. E., 40 vjeçe.

Ndërkohë, u shpall në kërkim djali i 40-vjeçares, shtetasi F. E., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e shtetasit D. E., xhaxhait të tij. Vijon puna për kapjen e tij dhe kontrollet për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur gjatë konfliktit.

Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetaset F. E., 40 vjeçe, dhe A. E., 25 vjeçe, pasi kanë dhunuar njëra-tjetrën, si dhe për shtetasin E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.