Qindra emigrantë që hynë së fundmi në enklavën spanjolle të Afrikës Veriore, Ceuta, organizuan një protestë në një plazh të njohur urban të dielën, duke u kërkuar autoriteteve spanjolle t’u japin azil në vend që t’i kthejnë në Marok.
Ata ishin midis rreth 5,000 deri në 8,000 personave që mbeten në Ceuta pas kalimit masiv të kufirit dy javë më parë, ku mbi 72,000 njerëz u dyndën në territorin e vogël prej rreth 80,000 banorësh. Shumica dërrmuese u kthyen vullnetarisht në ditët në vijim.
Protestuesit mbanin lart flamuj spanjollë dhe banderola ku shkruhej “Nuk duam të kthehemi në Marok” dhe “Edhe ne jemi njerëz”, ndërsa brohorisnin slogane të tilla si “Jemi të lodhur” ose “Na duhet një zgjidhje”. Në brigjet shkëmbore pas tyre, disa emigrantë lanin rrobat e tyre, ndërsa të tjerë peshkonin me shkopinj bambuje të improvizuar.










