Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë deklarojnë se, pas skadimit të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe mungesës së ndërhyrjes nga Kuvendi, vendimi për mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve është tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar këtë të hënë, tre organizatat kujtojnë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, pranoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të mbështetur edhe nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, duke vlerësuar se ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2023 cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës.

Sipas shoqatave, Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore që do të rregullonin skemën e pagave në përputhje me standardet kushtetuese. Megjithatë, ato konstatojnë se ky afat përfundoi pa u miratuar ndryshimet e kërkuara.

Në deklaratë thuhet se vetë Gjykata Kushtetuese kishte parashikuar mekanizmin që do të zbatohej në rast të mosveprimit të Kuvendit. Për këtë arsye, sipas shoqatave, nga 1 gushti 2026 pagat e magjistratëve duhet të përllogariten sipas formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike, në përputhje me vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat shtojnë se e njëjta formulë duhet të zbatohet edhe me efekt prapaveprues për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, siç përcaktohet në vendimin nr. 15/2026.

Në përfundim, ato shprehen se do të monitorojnë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të respektojnë detyrimet kushtetuese për ekzekutimin e tij.

Debati lidhet me ndryshimet e miratuara në vitin 2023 në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, të cilat, sipas Gjykatës Kushtetuese, sollën një ulje të tërthortë të pagave të magjistratëve. Në shkurt 2026, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi këto dispozita dhe urdhëroi Kuvendin të miratonte një formulë të re për përllogaritjen e pagave deri më 31 korrik 2026. Gjykata përcaktoi gjithashtu se, nëse afati nuk respektohej, do të hynte automatikisht në fuqi formula e bazuar te paga e funksionarit të administratës së lartë publike. Sipas deklaratës së shoqatave të magjistratëve, meqenëse Kuvendi nuk ndërhyri brenda afatit, kjo formulë është tashmë në fuqi dhe duhet të zbatohet edhe për diferencat e pagave për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026.