Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e regjistruar mbrëmjen e së dielës në det, përballë Himarëa, ku u raportua për të shtëna të dyshuara me armë zjarri nga një jaht.

Sipas uniformave blu, rreth orës 21:00 është marrë njoftimi se nga një mjet lundrues dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Menjëherë pas sinjalizimit, në operacion u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, efektivët e Komisariatit të Policisë Himarë dhe Stacionit të Policisë Dhërmi, si edhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS).

Pas ndjekjes nga deti dhe toka, jahti u ndalua në det, përballë Himarës. Në bord ndodheshin katër shtetas, të identifikuar me inicialet B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç, të cilët u shoqëruan nga policia.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në jaht dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, Policia bën me dije se nuk u gjet asnjë armë apo send tjetër i kundërligjshëm.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si edhe kryerjen e ekspertimeve për të verifikuar nëse ka pasur qitje me armë zjarri.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të rastit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.