Nga Hermes Kafexhiu
Drejtësia e re nuk më ka befasuar ndonjëherë, një drejtësi politike nuk është shpesh befasi, por që drejtësia të krijonte një regjim kjo edhe s’më kishte shkuar në mendje.
Gjykata e Posaçme ka zgjedhur të ndërtojë një mur mes drejtësisë dhe publikut, GJKKO ka vendosur ta trajtojë gazetarin jo si një garant të transparencës, por si një person që duhet të kërkojë leje për të qenë aty ku ligji i jep të drejtën të jetë.
Është një logjikë e çuditshme për një gjykatë që është ngritur mbi premtimin e transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit. Ndërkohë që vet gjykata është aty ku është për shkak të përkëdhelisë që ka krijuar media, që ia ka trajtur lajmet e dala nga dosjet si telenovelë që ka rritur vëmendjen ndaj tyre. Në vend që të hapë dyert, ajo vendos sportele. Në vend që të lehtësojë informimin, krijon procedura që e kthejnë gazetarin në një aplikant për autorizim.
Rregullorja e re e vendos median në një pozicion absurd dhe më shumë është një lajthitje e Erjon Banit, krejtsisht në shkelje dhe standardin europian.
Shikoni, një gazetar do duhet të lajmërojë paraprakisht, të presë miratim, të varet nga hapësira fizike e sallës dhe, në fund, të pranojë që informacionin ta marrë nga një koleg që ka mundur të hyjë.
Në epokën e teknologjisë, kur një proces gjyqësor mund të ketë mijëra faqe dokumente dhe kur shpejtësia e informacionit është pjesë e vetë natyrës së gazetarisë, GJKKO propozon një kthim në kohën e lapsit dhe letrës. Jo si metaforë, por si praktikë.
Një gazetari i hiqet telefoni, i ndalohet kompjuteri, i kufizohet regjistrimi, i kufizohet prania. Në fund mbetet vetëm një figurë që rri në sallë dhe shënon me dorë atë që mund të kuptojë nga një proces kompleks. Kjo nuk është thjesht pengesë profesionale. Është ulje e cilësisë së informacionit që i shkon publikut.
Një gjykatë që kufizon median, kufizon qytetarët.
Veçanërisht problematik është trajtimi i kamerave dhe regjistrimeve. Publiciteti i gjykimit nuk është një dekor kushtetues. Është një garanci. Një proces gjyqësor që zhvillohet në emër të publikut duhet të ketë edhe mundësinë që publiku ta shohë.
Një drejtësi e kërkuar nga publiku nuk mund të jetë censura ndaj publikut.
Mund të kuptohet nevoja për rregull, për disiplinë dhe për respekt ndaj sallës së gjyqit. Por rregulli nuk është heshtje. Siguria nuk është arsye për të kthyer median në një mysafir të padëshiruar.
Historia ka treguar se demokracitë nuk dobësohen vetëm kur ndalohen gazetarët të flasin. Dobësohen edhe kur gazetarët pengohen të shohin.
Nëse një gjykatë që duhet të jetë simboli i drejtësisë së re zgjedh të sillet me median si me një të dënuar nën regjimin BIS, atëherë problemi nuk është vetëm një rregullore.
Ky regjim duhet kundërshtuar përpara se të behet normë.










