Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në Malishevë, ku një çift bashkëshortësh u qëlluan me armë zjarri në dhomën e tyre të gjumit.

Sipas asaj që mediat vendase raportuan më herët, gruaja 25-vjeçare e cila ishte shtatzënë, fatkeqësisht humbi jetën, ndërkohë që bashkëshorti i saj 26-vjeçar është duke luftuar me vdekjen.

Nga informacioni i bërë publik nga Policia e Kosovës ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20, kur njësitë policore janë njoftuar për të shtëna me armë zjarri në Kërvasari, Malishevë.

Menjëherë efektivët e policisë kanë mbërritur në banesën e çiftit të ri të cilët ndodheshin në dhomën e tyre të gjumit të “larë” në gjak.

Të dyve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në vendin e ngjarjes dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Mirëpo fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, për të renë e cila ishte në javën e 34-të të shtazanisë ishte tepër vonë.

Ajo mbërriti pa shenja jetë në spital, ndërkohë që bashkëshorti i saj menjëherë u fut në sallën e operacionit ku dhe vijon të jetë në gjendje të rëndë.

Teksa autoritetet janë duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj masakre, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri me të cilën dyshohet se janë qëlluar dy të rinjtë.