Shqipëria ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Beograd tha se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Përmes një deklarate, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson se Shqipëria mbështet njësoj si sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ashtu edhe sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të krijuar një paralelizëm mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”, thuhet në reagim.
Ministria shton se rasti i Kosovës qëndron mbi bazat e veta historike, politike dhe juridike dhe kujton se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Deklarata e plotë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
“Vizita e Presidentit Zelensky në Serbi është e rëndësishme. Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, sidomos kur krijon hapësirë për të trajtuar çështje të vështira me qartësi, përgjegjësi dhe me vetëdije për historinë.
Ashtu si Shqipëria qëndron dhe do të vazhdojë të qëndrojë fort në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe të ardhmes evropiane të Ukrainës, po aq fort qëndron edhe në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë dhe vendit të merituar të Kosovës në familjen euroatlantike.
Për këtë nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim: çdo përpjekje për të bërë një paralele ose për të vendosur një barazim mes Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese.
Rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe juridike. Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e qartë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, si edhe një cenim të hapur të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Nga këndvështrimi i Shqipërisë, një parim është themelor: një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe të pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje ku kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe ku popujt dhe komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.
Ne mbajmë po ashtu qëndrimin se Serbia dhe Kosova i përkasin të dyja një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, që në fund duhet të çojë në njohje të ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë. Përkundrazi, do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së afërt të rajonit tonë dhe do të hapte rrugën për pajtim të vërtetë, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe paqe të qëndrueshme. Ballkani Perëndimor ka nevojë për këtë energji pozitive sot, ndoshta më shumë se kurrë.
Vizita e Presidentit Zelensky në Serbi i shërben, para së gjithash, interesave të Ukrainës. Kjo është njëkohësisht e kuptueshme dhe legjitime. Megjithatë, çdo hap që e ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe t’i afrohet Evropës është pozitiv. Por çdo angazhim është gjithashtu një mundësi për të çuar përpara një kuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa.”










