Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se deri në orën 14:00 të kësaj të premteje janë regjistruar 16 vatra zjarri në territorin e vendit. Dhjetë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera janë nën mbikëqyrje.

Në terren janë angazhuar 240 forca ushtarake, tre automjete zjarrfikëse, katër helikopterë dhe dy avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

Në Gojan-Gjegjan të Pukës, situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Në operacion janë përfshirë forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë, vullnetarë dhe Forcave të Armatosura. Dy helikopterë dhe mjete zjarrfikëse janë pozicionuar në zonat me rrezik riaktivizimi.

Në Dukat të Vlorës vijon ndërhyrja në zonën e Shatës. Zjarri është përhapur gjatë natës në drejtim të malit, por sipas autoriteteve, banesat nuk rrezikohen. Operacioni po mbështetet edhe nga dy avionë Air Tractor.

Në Malin e Milotit, në Kurbin, vijon puna për shuarjen e flakëve në një pyll me pisha. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë, bashkisë dhe Forcave të Armatosura, me mbështetje nga dy automjete zjarrfikëse të FA-së dhe një helikopter.

Ndërkohë, në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë e tyre është izoluar plotësisht dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Operacioni po mbështetet nga dy helikopterë të Forcave të Armatosura.

Në vatrat e tjera, strukturat vendore dhe operacionale vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, me fokus parandalimin e riaktivizimit të zjarreve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Autoritetet theksojnë se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku situata e kërkon.