TIRANË – 15 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin deri në orën 14:00 të kësaj të diele, 23 gusht. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 7 vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa 8 të tjera janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve janë angazhuar 213 forca, mes tyre 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura. Në terren janë 10 mjete zjarrfikëse dhe një ekskavator i rëndë me zinxhir, ndërsa nga ajri operacionet mbështeten nga dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Dajti dhe Bulqiza, ndërhyrje në terren
Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë të Helmes, në Bulqizë, 11 efektivë të MZSH-së po punojnë për kontrollin e dy vatrave aktive në sipërfaqe pyjore.
Në Tenë të Mirditës situata paraqitet e stabilizuar. Në terren ndodhen 27 forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor dhe bashkisë. Ndërkohë, në Shtuf zjarri ka intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Pukë, situata vijon nën kontroll
Në Prozhem të Pukës operacioni vijon me tre mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, 13 forca të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata në Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm. Vatrat janë izoluar ose shuar dhe aktualisht janë nën mbikëqyrje.
Krasta e Krujës, vatra më problematike
Vëmendja kryesore e autoriteteve është përqendruar në Krastë të Krujës, ku zjarri vijon me intensitet dhe ndodhet pranë zonave të banuara.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga ekipet e Kamzës dhe Vorës. Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri, me një helikopter.
Ndërkohë, në Malin e Çikës, mbi Palasë, operacioni për shuarjen përfundimtare të vatrës po mbështetet nga dy avionë Air Tractor.
Ministria e Mbrojtjes vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e forcave në terren, me fokus zonat ku zjarret paraqesin rrezik për pyjet dhe territoret e banuara.







