Bujar Pllana ka nisur një aventurë të re në futbollin zviceran. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është zyrtarisht futbollist i Grasshopper, që ka njoftuar afrimin e tij për të përforcuar repartin defensiv.
Qendërmbrojtësi shqiptar ka firmosur një kontratë që e lidh me klubin zviceran deri në fund të sezonit 2027/28, ndërsa te skuadra e re do të mbajë fanellën me numrin 44.
Grasshopper e ka prezantuar afrimin e Pllanës përmes një mesazhi mirëseardhjeje, duke e cilësuar mbrojtësin shqiptar si një përforcim për repartin e prapavijës.
Transferimi në Zvicër vjen pak kohë pasi Pllana mbylli bashkëpunimin me Lechia Gdańsk në Poloni.
Kontrata e mbrojtësit me klubin polak u ndërpre me marrëveshje të përbashkët, pas rënies së Lechia-s nga elita e futbollit polak. Klubi do të garojë sezonin e ardhshëm në divizionin e dytë.
Sipas raportimeve nga mediat polake, Pllana nuk dëshironte të vazhdonte karrierën në kategorinë e dytë dhe për këtë arsye palët gjetën marrëveshjen për t’i dhënë fund kontratës.
Tashmë, 24-vjeçari do të vijojë karrierën në Zvicër, ku Grasshopper synon të përfitojë nga eksperienca e tij në qendër të mbrojtjes.










