Federata e Futbollit e Uruguait ka zyrtarizuar emërimin e Diego Forlan si trajner të ri të kombëtares, duke i besuar një prej legjendave më të mëdha të futbollit uruguaian drejtimin e ekipit. 47-vjeçari zëvendëson argjentinasin Marcelo Bielsa, i cili u largua nga posti pas eliminimit të Uruguait në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.
Përveç drejtimit të kombëtares A, Forlan do të jetë përgjegjës edhe për ekipin U20, të cilin do ta udhëheqë në turneun kontinental që do të zhvillohet në janar të vitit 2027.
Si futbollist, Forlan ka lënë gjurmë të pashlyeshme me fanellën e Uruguait. Ai realizoi 36 gola në 112 paraqitje, duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë në historinë e ekipit. Kulmi i karrierës së tij erdhi në Kupën e Botës 2010, ku u shpall lojtari më i mirë i turneut, pasi udhëhoqi Uruguain deri në gjysmëfinale. Një vit më vonë, ai fitoi edhe Copa America 2011, trofeun e fundit madhor të kombëtares uruguaiane.
Në stolin e trajnerit, përvoja e Forlanit ka qenë më e kufizuar. Ai drejtoi Penarolin për 11 ndeshje gjatë vitit 2020, ndërsa një vit më pas mori drejtimin e një skuadre të divizionit të dytë uruguaian për 12 takime.
Tashmë, ish-sulmuesi do të përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij si trajner, me synimin për ta rikthyer Uruguain mes pretendentëve kryesorë në arenën ndërkombëtare, ashtu si 15 vite më parë.










