TIRANË – Në kuadër të 25-vjetorit të ngjarjeve tragjike të 11 Shtatorit 2001, Qendra Kulturore e Ministrisë së Mbrojtjes organizon këtë të premte koncertin vokal-simfonik “Requiem for the Living”, në kujtim të viktimave të kësaj tragjedie.
Koncerti do të mbahet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe është frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull e kompozitorit amerikan Dan Forrest.
Në këtë mbrëmje do të interpretojë Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, ndërsa në skenë do të ngjiten edhe solistët shqiptarë Ramona Tullumani, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ekland Hasa dhe Flaka Goran, së bashku me Diego Zelka.
Koncerti do të zhvillohet nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj.
“Requiem for the Living” synon të jetë një mbrëmje kushtuar kujtesës, jetës dhe paqes, duke sjellë përmes muzikës një mesazh universal në përkujtim të mijëra viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001.
Veprimtaria vjen si një homazh artistik për ata që humbën jetën në një prej ngjarjeve më tragjike të historisë moderne.










