Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka reaguar pas fjalëve të studentes Samanta Toçka, e cila me lot në sy shprehu shqetësimet e saj për situatën e krijuar gjatë protestës së ditëve të fundit.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Bylykbashi i është drejtuar drejtpërdrejt studentes, duke i cilësuar lotët e saj si shprehje të dashurisë për vendin, ndërsa ka theksuar nevojën që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje.
“Samanta, lotët e tu janë dashuri për këtë vend. Le të flasim për të ardhmen!”, shkruan deputetja në reagimin e saj.
Bylykbashi shprehet se emocionet e studentes dhe të të rinjve të tjerë tregojnë nevojën për reflektim dhe zgjidhje nga ana e politikës. Megjithatë, ajo e zhvendos fokusin edhe te episodet e dhunës dhe dëmtimet e pronës publike e private gjatë protestës, duke bërë dallimin mes të rinjve që kërkojnë ndryshim dhe atyre që, sipas saj, përfshihen në akte shkatërrimi.
Në mesazhin e saj, deputetja thekson se të rinjtë duhet të kenë mundësinë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, por pa lejuar që zëri i tyre të përfaqësohet nga dhuna.
“Samanta, nuk mund të kërkoni një Shqipëri më të mirë duke lejuar që ata që bëjnë më keq të flasin e të veprojnë në emrin tuaj!”, shprehet Bylykbashi.
Ajo nënvizon gjithashtu se të distancohesh nga dhuna nuk do të thotë të heqësh dorë nga kërkesat, por të zgjedhësh mënyra paqësore për t’i mbrojtur ato.
“Ne kemi detyrimin t’ju dëgjojmë, të reflektojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Ju keni të drejtën të kërkoni paqësisht dhe të mos hiqni dorë nga ajo që besoni”, shkruan deputetja.
Në përfundim të reagimit, Bylykbashi shpreh dëshirën që të rinjtë të shohin me shpresë të ardhmen e vendit, duke e vendosur dialogun dhe arsyen përballë dhunës.
“Sepse historinë e këtij vendi mund ta shkruani ju me dialog. Por jo me gurët që e shkatërrojnë. Me zërin, arsyen dhe guximin që e ndërtojnë!”, përfundon reagimin e saj deputetja e Partisë Socialiste.










