Nëse Partia Demokratike pretendon se në selinë e saj ka pasur dhunë dhe përndjekje nga Policia e Shtetit, le t’i publikojë videot. Nëse ato dëshmojnë versionin e saj, çfarë e pengon t’ia tregojë publikut? Kush kërkon të vërtetën, nuk ka arsye t’i fshihet transparencës.
Publikimi i plotë i pamjeve do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave. Si u organizuan protestuesit, si rrodhën ngjarjet dhe nëse pati përgatitje paraprake për akte dhune?
Këto çështje nuk zgjidhen me deklarata politike dhe akuza të ricikluara prej 35 vjetësh, por me prova dhe përgjegjësi.
Qytetarët nuk kanë nevojë për më shumë propagandë. Kanë nevojë për të vërtetën.
Po SPAK-u dhe drejtësia e re, ku janë përballë dhunës që ka tronditur kryeqytetin? Institucionet kompetente duhet të hetojnë çdo indicie dhe të verifikojnë çdo provë, pa dallime politike dhe pa iu nënshtruar presionit. Drejtësia e re matet edhe me aftësinë për të hetuar paanshmërisht kur përgjegjësia mund të prekë aktorë politikë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Po ashtu, pretendimet se Elvis Martinaj është parë në ambientet e PD-së kërkojnë sqarim. A është verifikuar kjo prani dhe në ç’rrethana ka ndodhur? Nëse ekzistojnë pamje filmike apo prova të tjera, ato duhet të shqyrtohen nga organet kompetente. Pretendimet nuk janë prova, por çdo indicie konkrete meriton verifikim.
Heshtja nuk mund të zëvendësojë transparencën dhe pandëshkueshmëria nuk mund të zëvendësojë drejtësinë. Nëse PD-ja kërkon të vërtetën, le t’i publikojë videot e plota. Nëse ka pasur dhunë policore apo organizim të akteve të dhunshme, gjithçka duhet të hetohet dhe përgjegjësit të përballen me ligjin.
Provat në dritë, hetim i paanshëm dhe përgjegjësi përpara ligjit.
Në një shtet të së drejtës, e vërteta nuk përcaktohet nga partia që bërtet më fort, por nga faktet.










