Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij do t’i ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës – siç ka kërkuar presidenti amerikan, Donald Trump – nëse Shtetet e Bashkuara do ta furnizonin shpejt Ukrainën me raketa Patriot për mbrojtje ajrore.
Në një intervistë për Fox News, më 1 nëntor, Zelensky tha se ka zhvilluar bisedime me presidentin amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë çështje.
“Ne u thamë se nuk mund të mos kundërpërgjigjemi pas sulmeve të Rusisë ndaj sektorit tonë energjetik, ndërkohë që Rusia vret njerëzit tanë dhe sulmon rrjetin elektrik, infrastrukturën e gazit, rafineritë dhe gjithçka tjetër”, i tha ai gazetarit Trey Yingst, përcjell A2.
“Ne thamë se, nëse doni që të mos i sulmojmë rafineritë ruse, atëherë edhe Rusia duhet t’i ndalë sulmet ndaj sistemit tonë energjetik. Alternativa tjetër është të na jepni raketa Patriot. Ne do t’i sigurojmë paratë. Nuk po kërkojmë vetëm ndihmë… Do të paguajmë për to”, tha Zelensky.
Ai shtoi se, nëse Shtetet e Bashkuara do t’i siguronin Ukrainës raketa Patriot për një muaj, Ukraina do t’i ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse për të njëjtën periudhë.
Mund të duhen “disa vite”
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi më 30 tetor se ka miratuar shitjen e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën, në vlerë prej 2.1 miliardë dollarësh.
Këto raketa, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente, synojnë të forcojnë mbrojtjen e saj përballë sulmeve ajrore gjithnjë e më të shpeshta të Rusisë.
Megjithatë, Zelensky paralajmëroi se mund të duhen “disa vite” derisa të mbërrijnë 500 raketat interceptuese.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky shkroi se “500 raketa interceptuese PAC-3 janë një numër i konsiderueshëm” dhe se ato mund të përbëjnë një paketë efektive mbrojtjeje gjatë këtij dimri.
Por, ai shtoi se “dërgesat mund të fillojnë vetëm pas disa vitesh”.
“Po u kërkojmë partnerëve tanë amerikanë të gjejnë një zgjidhje për këtë periudhë, kur rreziku është real dhe nevoja për përdorimin e raketave interceptuese PAC-3 është urgjente”, tha presidenti ukrainas.
Alex Plitsas, bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik dhe ish-zyrtar i Pentagonit, tha se njoftimi për raketat Patriot është i rëndësishëm, por se nuk do t’u përgjigjet nevojave të menjëhershme të Ukrainës.










