Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, vizituan kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, një investim modern prej 7 600 m² që ofron kushte bashkëkohore për formimin e profesionisteve të ardhshëm të FA.
Kampusi i ri përfshin klasa të teknologjisë së lartë, auditorë, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, ambiente sportive dhe hapësira funksionale të standardeve të NATO-s, duke krijuar një mjedis të kompletuar akademik dhe profesional.
Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt, edhe pse nuk është pjesë direkte e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, mbetet një investim publik në arsim, siç janë buxhetet e arsimit profesional, të Shkollës së Magjistraturës, apo të ardhurat e vetë universiteteve.
“Është një investim fantastik për një ndër degët tona të studimit që po merr më shumë e gjithnjë rëndësi, ndërsa uniformën ushtarake e kemi në kryefjalë të tavolinave ndërkombëtare, edhe për ccështje të sigurisë. Është një investim gjithashtu që i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, aq më tepër që shikojmë që ka një kërkesë në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën.
Modeli i masterit të kombinuar në marinë, aviacion dhe inxhinieri në Universitetin e Vlorës, është një iniciativë që krijon rrjetëzim të universiteteve dhe për të parë mundësitë e ndërkombëtarizimit për të siguruar jetëgjatësi dhe cilësi të arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Kumbaro.




















