Çështja Ronald Araujo vazhdon të lëshojë hije te Barcelona. Mbrojtësi uruguajan, pas ndëshkimit me karton të kuq që i kushtoi humbjen skuadrës katalanase në ndeshjen me Chelsea në Ligën e Kampioneve, vendosi të marrë një periudhë pushimi për një afat të pacaktuar.
Kjo periudhë kohe do ta ndihmojë mbrojtësin për të rigjetur qetësinë e humbur pas momenteve të vështira në fushën e lojës ku ka pasur më shumë gabime dhe kritika sesa sfida të paharrueshme.
Araujo për momentin nuk ka caktuar një datë për kthimin e tij në fushën e lojës, Barcelona i kuptoi vështirësitë e kapitenit të skuadrës dhe i dha leje për një kohë të pacaktuar pa e vendosur futbollistin në presion. Flick në konferencën për shtyp konfirmoi mungesën e qendërmbrojtësit deri në një datë tjetër duke kërkuar më pas që kjo temë të mos diskutohet më.
Tani, sipas asaj që publikohet te Mundo Deportivo, futbollisti për të rigjetur veten duket se ka gjetur strehë te besimi fetar. Në javët e ardhshme ai ka programuar një udhëtim për në Jeruzalem për të vizituar vendet më të shenjta të krishtërimit dhe për të kërkuar ndihmë që të kalojë vështirësitë e tij. Araujo po luan ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij; atë për shëndetin e tij mendor.




















