Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike dhe debateve të ngritura në disa media për procedurën e prokurimit të tre avionëve të destinuar për ndërhyrjet në rast zjarresh.

Përmes një deklarate, institucioni mohon çdo parregullsi, duke sqaruar se procedura është zhvilluar si garë konkurruese për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë, sipas kuadrit ligjor shqiptar.

Sipas Ministrisë, në proces morën pjesë dy kompani, ndërsa oferta fituese u përzgjodh pasi rezultoi me vlerën më të ulët. Operatori tjetër, sipas saj, nuk arriti të përmbushë kriteret e kërkuara për kapacitetet ekonomike dhe teknike.

Në reagim hidhen poshtë edhe pretendimet për kompaninë fituese, Aviation Trade Europe, S.L., e cila sipas ministrisë nuk ndodhet në kushtet e ndalimit për të marrë pjesë në kontrata publike.

Ministria deklaron se kompania ka paraqitur dokumentacionin përkatës që vërteton mungesën e pengesave ligjore dhe se çështja gjyqësore e përmendur në Spanjë nuk ka një vendim përfundimtar, pasi vijon të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.

Sipas institucionit, për sa kohë vendimi nuk ka marrë formë të prerë, ai nuk krijon pasoja juridike për përjashtimin e kompanisë nga procedurat e prokurimit.

Ministria e Mbrojtjes nënvizon se kompania ka vijuar aktivitetin dhe kontraktimet me institucione publike në vende partnere, ndërsa e konsideron blerjen e avionëve një investim të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave.

“Ky projekt synon rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila garanton se procedurat do të vijojnë të zhvillohen në respekt të ligjit dhe interesit publik.