Nga Plarent Ndreca/
Vendimi i GJEDNJ-së në çështjen Abo kundër Turqisë është më shumë se një rast individual. Ai është një pasqyrë brutale e asaj që ndodh kur sistemi i drejtësisë, në vend që të korrigjojë shkeljet, mobilizohet për t’i justifikuar ato. GJEDNJ deklaroi qartë se shkelja proceduriale, siç është mungesa e avokatit, nuk mund të trajtohet si çështje teknike, se rigjykimi nuk është një favor por një detyrim dhe se gjykatat e larta nuk ekzistojnë për të mbrojtur gabimet e gjykatave të ulëta, por për t’i korrigjuar ato.
Në këtë rast, gjykatat e ulëta në Turqi e zbrazën vendimin e Strasburgut nga përmbajtja e tij. Gjykata Kushtetuese kishte detyrimin ta korrigjonte këtë situatë, por nuk e bëri dhe si pasojë GJEDNJ u detyrua të dënonte sërish shtetin turk për rezistencë gjyqësore, formalizëm dhe shkatërrim të sigurisë juridike.
Pyetja sot nuk lidhet vetëm me Turqinë. Pyetja lidhet me ne, me Shqipërinë. A është sistemi ynë i drejtësisë i aftë të korrigjojë realisht shkeljet proceduriale dhe shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut? A është shndërruar ky sistem në një strukturë korporative që krijon mekanizma jo për të ndrequr padrejtësinë, por për të minimizuar rëndësinë e shkeljeve që kryen vetë sistemit gjyqësor? A po relativizohet e drejta për mbrojtje efektive? A mbrohen vendimet e prokurorëve dhe të gjykatave të ulëta duke u dhënë publikut iluzionin se po bëhet drejtësi?
A është kjo drejtësi evropiane? A është kjo drejtësia që u kërkua kur u ndërmor reforma në drejtësi? A janë sot gjyqtarët dhe prokurorët patriotë të ligjit, apo janë shndërruar në shkatërruesit më të rrezikshëm të shtetit të së drejtës dhe të besimit publik, një besim që rikuperohet shumë më vështirë sesa shkatërrohet?
Një drejtësi që nuk korrigjon gabimet e saj nuk është drejtësi, por një simulim i saj, një korporatë gjyqësore që e humbet thelbin e funksionit të vet.
GJEDNJ në konkluzionet e këtij vendimi thekson se sistemi gjyqësor turk ka nevojë për një ndryshim të thellë mentaliteti në raport me vendimet e Strasburgut. Në vend që këto vendime të anashkalohen përmes aktivizmit gjyqësor ose të zbrazen nga përmbajtja e tyre me interpretime formaliste, kërkohet një praktikë e sinqertë, e orientuar drejt mbrojtjes së të drejtave dhe në përputhje me frymën e Konventës. Në të kundërt, Turqia do të vazhdojë të humbasë reputacionin e saj si shtet i së drejtës.
Beteja e gjatë njëzetvjeçare e Davut Abo-s tregon se sa e mundimshme mund të jetë rruga drejt drejtësisë, por ky vendim mbetet një pikë referimi e rëndësishme që mban gjallë besimin se, në fund, ligji e gjen rrugën e vet.




















