Tirana është një qytet që nuk më pret të kuptohet. Gjithçka mbivendoset me ngut: debatet, kujtimet, ritmet e reja dhe simbolet e progresit që shpesh nuk thonë asgjë për shumicën e njerëzve që jetojnë këtu.

Në vëllimin e tij debutues me poezi, “Kaos Zherminal”, poeti Elvin Nuri (fitues i Çmimit të QKLL për autorët e rinj) nuk përpiqet ta rregullojë këtë kaos. Ai e lejon të akumulohet, duke krijuar ndjesinë e një “inventari” emocional të një bote që po ndryshon me një shpejtësi të tillë, sa kuptimi gjithmonë mbetet një hap pas. Poezitë e tij prekin gjentrifikimin, mungesën e alternativave dhe gjuhën e përditshme të “zhvillimit” dhe “progresit”, por gjithmonë nga një pozicion thellësisht personal, si dëshmi e asaj se çfarë do të thotë të rritesh në një vend ku drejtimi e orientimi mbeten gjithmonë të paqëndrueshme.

Në episodin 48 të Apostrof Podcast, krahas Nurit, është e ftuar edhe botuesja Anna Shkreli nga BERK Botime, e cila flet për transformimet që Tirana ka përjetuar ndër dekada, nga këndvështrimi i dikujt që ka punuar për dokumentimin e tyre. Përmes një serie botimesh mbi ndryshimet arkitekturore dhe sociale të kryeqytetit, BERK ka ndërtuar një arkiv të qytetit që po shpërbëhet dhe riformësohet njëkohësisht.

Shqetësimi i Shkrelit lidhet veçanërisht me rënien e strukturave publike të qëndrueshme dhe humbjen e përzierjes sociale. Siç thekson ajo, kur kjo përzierje shpërbëhet, qendrat e qyteteve rrezikojnë të kthehen në qendra fantazmë dhe jeta urbane, nga përvojë e përbashkët, shndërrohet në diçka të fragmentuar dhe të administruar./TEMA