Vëmendja e Kombëtares shqiptare është në sfidën gjysmëfinale të “Play Off”-it të Botërorit kundër Polonisë, që do të luhet më 16 mars në Varshavë.
Juljan Shehu ndoshta e ndjen më shumë se kushdo këtë ndeshje, pasi aktivizohet në kampionatin polak. Për TV Klan, ai shprehu besimin se mund t’ia dalim.
“Sigurisht ne kemi atë ëndrrën që do ja dalim, besoj më të madhe se polakët, kështu që shpresoj t’ia dalim. Ajo që është ëndërr për momentin, të bëhet realitet”, tha Shehu.
Ish-kapiteni Lorik Cana ka karikuar gjithashtu Kombëtaren, por edhe Kosovën në prag të këtyre ndeshjeve historike.
“Kemi skuadrat tona jo të lehta, se kur mbërrin në atë fazë luan me kundërshtarë jashtëzakonisht të mirë. Besoj se nëse kanë mbërritur në këtë nivel, për t’u kualifikuar, e kanë potencialin për të shkuar e më tutje. Shanset pothuajse janë të barabarta”, tha Cana.
Për ish-trajnerin e kuqezinjve Edoardo Reja ka ardhur koha për hakmarrje pas humbjes që Polonia na shkaktoi vite më parë në garën për Botërorin e vitit 2022.
“Po, mendoj se ka ardhur koha për t’u hakmarrë ndaj Polonisë, edhe pse në fakt ne i kemi mundur në eliminatorët europiane, ishim shumë afër në atë edicion. Mjaftonte vetëm një barazim, por besoj se mund t’ia dalim, edhe pse nuk është e lehtë”, tha Reja.
Në rast se kuqezinjtë mundin Poloninë, atëherë në finalen e Play Off-it do të luajnë me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi për të siguruar biletën e Botërorit 2026. Kualifikimi do të vlente 10 milionë euro, ndërsa fituesi i këtij kompeticioni do të përfitojë 40 milionë euro.




















