Kryepiskopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka vizituar për herë të parë Shkodrën, ku këtë të diel ka drejtuar meshën para Krishtlindjes në kishën ortodokse të këtij qyteti. Vizita e tij historike u shoqërua me mesazhe të forta shpirtërore, ku u theksua rëndësia e pranisë së Zotit në jetën personale, familjare dhe shoqërore të njeriut.

Gjatë predikimit, Kryepiskopi Joan nënvizoi se çdo përpjekje për të ndërtuar jetën, shoqërinë apo lumturinë pa Zotin është e destinuar të dështojë, ndërsa theksoi se porositë hyjnore nuk janë kufizim i lirisë, por garanci e saj.

Në fjalën e tij, Fortlumturia e Tij foli edhe për kuptimin e vërtetë të Kreshmës, duke theksuar se ajo nuk është thjesht heqje dorë nga ushqimi, por mbi të gjitha pastrim shpirtëror, largim nga thashethemet, shpifjet dhe mëkatet e përditshme. Ai u ndal edhe te rënia e natyrës njerëzore dhe misioni i Krishtit për ta ringritur atë.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Kryepiskopi Joan vuri theksin te roli i familjes si bërthama e komunitetit dhe përgjegjësia që çdo besimtar ka jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Vizita e tij në Shkodër u cilësua si një moment i veçantë për komunitetin ortodoks dhe për gjithë qytetin, në prag të festës së Krishtlindjes. Pas meshës zhvilloi vizitë në bashkinë Shkodër dhe Myftini duke dhënë mesazhe paqe e bashkimi.