Mesditën e të dielës në stadiumin ‘Unipol Domus’ të Sardegnas, vendasit e Cagliarit barazuan 2-2 kundër Pisas në një ndeshje me shumë raste dhe emocionet që zgjatën deri në fundin e takimit.

Pjesa e parë u mbyll me golin e Pisas në minutën e 45-të, kjo pasi Tramoni ktheu në gol penalltinë. Në fraksionin e dytë Cagliari u përgjigj dhe ia doli të përmbyste ndeshjen me golat e Folorunsho dhe Kilicsoy në minutat 59-të dhe 71.

Mirëpo kur vendasit menduan se do merrnin tri pikë, Moreo në minutën e 89-të barazoi për 2-2 duke bërë që skuadrat të ndaheshin në paqe, me keqardhjen e Cagliarit që i shpëtoi fitorja nga duart.

Me 15 pikë Cagliari mban pozitën e 15-të, ndërsa Pisa me vetëm 11 pikë ndodhet në vendin e parafundit (19) dhe ka vetëm një fitore këtë sezon. Më keq se ta ka bërë vetëm Fiorentina që ende nuk ka fitore dhe me gjashtë pikë ndodhet në pozitën e fundit.