Belakis mban emrin e frymëzuar nga një mbretëreshë arabe, por jeta nuk e ka trajtuar aspak si të tillë. Përkundrazi, gjithçka ajo mban mend, është sakrificë dhe stërmundim i vazhdueshëm. Rrëfimi i saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nis me kujtimet e një shtëpie në Spitallë të Durrësit ku jetonte me prindërit, dy xhaxhallarët dhe gjyshen.
Barra e shtëpisë dhe menaxhimit të ekonomisë familjare i kishte rënë nënës së saj që mundohej ta fshihte para fëmijëve atë që ndiente. Pavarësisht kësaj, ata ia lexonin ankthin dhe stresin çdo datë 5, kur priste me padurim të hynte i shoqi në derë.
Belakis: Çdo datë 5, babi vonohej. Ishte data kur merrej edhe rroga dhe mami ishte ajo që priste pas derës kur do të hynte në shtëpi. Kemi qenë të vegjël, por mendoj që duke parë sesi strapacohej, rriteshim dhe kuptonim më shumë. Im atë në atë periudhë luante bixhoz dhe ajo periudhë zgjati goxha në fakt. U munduam të lëviznim në një shtëpi tjetër duke qenë se aty ishim me qira dhe të gjithë xhaxhallarët do të ndërtonin shtëpitë e tyre, morëm një kredi për ndërtimin e asaj shtëpie.
Ardit Gjebrea: Mbaroi shtëpia, u futët në shtëpinë e re?
Belakis: U futëm në shtëpinë e re, akoma pa përfunduar. Dritaret ishin plastmasë, dera ishte nga një raft i vjetër që e kishim marrë nga shtëpia ku ishim dhe në dysheme kishim shtruar po prapë plastmasë dhe sipër tyre plot me çimento që mos të na shkelnin këmbët në tokë. Mami dhe babi punonin të dy, por vesi i bixhozit vazhdonte.
Ardit Gjebrea: Vazhdonte?
Belakis: Vazhdonte.
Belakis apo Bela siç e thërrasin, mori një propozim në shkollë që të përfshihej në një organizatë të quajtur World Vision ku fokusi ishte familja. Me shumë këmbëngulje, ajo ia doli që të bindte të atin të merrnin pjesë dhe më në fund, ia arritën ta shkëpusnin nga lojërat e fatit.
Belakis: Vazhduam duke shkuar në çdo takim, ishte shumë i përqendruar, kishte dëshirë të shkonte më shumë, kishte dëshirë më shumë të shkonte ai sesa ne dhe e la bixhozin. U përqendrua komplet te familja, vazhduam të kishim një jetë shumë të lumtur. Gjithë darkën e kalonim duke parë “E Diela Shqiptare” të dielave, filma të ndryshëm, seriale, duke diskutuar për politikën, Blendi Fevziu, çdo gjë që përmbante televizoni ishim aty të bashkuar.
Ardit Gjebrea: Fantastike!
Belakis: Babi, nuk dua të përmend vetëm gjërat negative, por ka qenë një prind që ka qenë pranë për mua, vëllain, vëllain tjetër se ne jemi tre fëmijë dhe na ka mbështetur në çdo lloj hapi.
Ardit Gjebrea: Pra jeta juaj u stabilizua.
Belakis: Po.




















