Kryeministri Edi Rama është sot pjesë në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë në 2030” së bashku me ministrin e Bujqësisë Andis Salla, ku do të prezantohen mekanizmat praktike me qëllim përmbushjen e reformave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Rama tha se integrimi në BE do të jetë një e mirë për të gjithë ata fermerë të cilët janë të përgatitur për tregun evropian dhe një sfidë e pamundur për ata që nuk janë gati. Kryeministri u shpreh se përmbushja e standarteve evropiane në fushën e bujqësisë është një sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Rama theksoi rritjen e numrit të fermerëve që sot marrin mbështetje nga shteti si dhe uljen e numrit të deficitit në eksporte.

“Bujqësia shqiptare përballë sfidës së tregut evropian në kontekstin e Shqipërisë anëtare të BE-së. Dua të flas shumë hapur me ju, duke ju thënë se kjo sfidë ka dy anë: ka anën e saj të errët dhe anën e ndritur. Ana e errët është ajo që pret këdo që nuk është i përgatitur për atë ditë, sepse negociatat me BE-në dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjesht të lidhura me atë që ne shkruajmë në letër, por janë kontrata shtetërore komplekse, ku çdo faktor duhet t’i përgjigjet kontratës.

Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu siç është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standardet dhe kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë dhe siguria e produkteve, kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e BE-së.

Unë besoj tek ju dhe tek të gjithë ata që, në kushte absolutisht të pakrahasueshme me sot, një dekadë më parë ishin aty, tek toka, dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush e ka kaluar atë sfidë, do ta kalojë edhe këtë sfidë.

Numri i fermerëve që merrnin një mbështetje më parë simbolike nga shteti ishte 5 600, sot është 67 500. Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe deficiti tregtar ishte një katastrofë unike në rajon. Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro ushqim. Ndërkohë sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro. Deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe synimi ynë është të shkojmë në 1 me 2”, tha Rama.