Nga Jakin Marena
Ditët e fundit publiku shqiptar është përballur me dy tronditje të forta të ‘prodhuara’ si për fund viti nga Prokuroria e Posaçme, të cilat kanë sjellë debate në media e në politikë si dhe kanë sjellë pozicionime pro e kundër në këtë rast!
Bëhet fjalë për dy operacionet më të mëdha të ndërmarra deri më tani nga ana e prokurorëve të SPAK. Njëri hetim ka të bëjë me dosjen në ngarkim të numrit dy të qeverisë, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës, Energjetikës dhe Industrisë, Belinda Balluku, me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Më pas ‘shto ujë e shto miell’ e kanë rritur dozën e akuzave, duke i shtuar dhe këto lotet e unazës së Tiranës, presionet e dyshime të tjera, akuza të cilat për prokurorin e SPAK përbëjnë kushtet e mundshme, që Balluku të mbyllet në arrest!
Më saktë, ‘acarimi’ i prokurorëve të SPAK ndodhi pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai nuk u pajtua me një pikë të akuzës së parë të prokurorit të SPAK, atë të pezullimit të numrit dy të qeverisë dhe ministres më të rëndësishme të kabinetit të tij qeveritar, duke e argumentuar kundërshtinë e tij me faktin se SPAK po ndërhyn në kompetencat e kryeministrit dhe po cënon ndarjen e pushteteve me këtë akt të paprecedentë jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Evropën, dy Amerikat, Azinë, Australinë dhe ndoshta dhe për Afrikën!
Për këtë arsye, kreu i qeverisë shqiptare me të drejtën që i jep Kushtetuta dhe ligji, kërkoi nga Kushtetuesja që ta ndante këtë punë! Institucioni më i lartë në mbrojtje të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shqyrtojë çështjen me themel, ndërsa pezulloi pezullimin e dhënë nga ana e GJKKO-së me kërkesë të SPAK, duke caktuar datën 22 janar si datën e fundme të shqyrtimit!
Prokurori i SPAK, me sa duket nuk e ka pritur mirë këtë kundërshtim, ndoshta i mësuar deri më tani me pajtimin nga mazhoranca për të gjitha akuzat dhe dosjet në drejtim të zyrtarëve të saj, nga më i larti deri tek më i vogli, hetime të cilat nuk i kanë kundërshtuar asnjëherë! Anipse krahu tjetër, Sali Berisha i merr me ‘libër shpie’ prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm sa herë që afrohen në ‘sinoret’ e familjes së tij biologjike apo politike, prokurorët e SPAK nuk ndihen fare! As këta gjyqtarët dhe shoqatat në të cilat janë organizuar! Nuk bëzajnë fare kur shan e kërcënon Berisha!
Nuk e dimë, nëse kanë pakt për të mos reaguar ndaj Berishës pasi janë të bindur se ‘qeni që leh nuk kafshon’, apo larg qoftë kanë ndonjë kompromis të mundshëm, ku njëra palë kërcënon pa doganë, ndërsa pala tjetër hesht dhe zvarrit pafund çështjet në ngarkim të tij! Unë dua të besoj variantin e parë në fakt! Po mundohem madje ta bind fort veten për këtë! Sepse dua ta nënvizoj që në krye të herës, kam besuar dhe besoj tek drejtësia e re, me shpresën se një ditë do të bëhet me drejtësi edhe Shqipëria, e për pasojë dhe jam betuar se do t’i marr lehtë të gjitha këto ‘shkarjet’ e herëpashershme rrugës të elementëve të veçantë të kësaj drejtësie të re. Besoj tek qëllimi final në fund të herës, si dhe tek mbështetja e SHBA, BE e Britanisë së Madhe!
Duke mbetur tek adhnimi i fortë i prokurorit të çështjes ‘Balluku’ nga vendimi i Kushtetueses që pezulloi pezullimin e një ministri dhe numrit dy të qeverisë, duke ia ‘hequr’ drejtësisë të drejtën e pamerituar për të emëruar e shkarkuar ministra, përfaqësuesi i SPAK nuk duroi të festonte festat e fundvitit, dhe as të priste datën 22 janar kur Kushtetuesja do të marrë vendimin final për ankimimin e kryeministrit, ndoshta i ‘tronditur’ nga dosja e ’21 janarit’ të cilën Gjykata e Lartë pas vendimit të Strasburgut ia dha me pahir nën hetim SPAK-ut, pikërisht ky prokuror përpiloi një kërkesë në drejtim të Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Ballukut me qëllim marrjen e masës së arrestit ndaj saj! Ndoshta dhe si një farë ‘presioni pozitiv’ ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses për vendimin e 22 janarit, nuk përjashtohet si mundësi kjo!
Nuk mund t’a ndajmë ne, nëse e ka bërë në inat e sipër këtë kërkesë prokurori i SPAK, meqë u sfidua nga Kushtetuesja që rrëzoi pezullimin, apo organi më i lartë i akuzës në Shqipëri është vërtetë i shqetësuar se numri dy i qeverisë mund të prishë provat duke qënë jashtë qelisë, pavarësisht se në arritjen e kësaj kërkese për masë të fortë sigurie, presupozohet se provat i ke në dorë dhe i akuzuari nuk ka çfarë të prishë më! Këto janë punë drejtësie dhe nuk hyj në detaje e teknikalitete, por ama, nervozizmi i prokurorit dukej hapur që në reagimin ‘flakë për flakë’ ndaj vendimit të Kushtetueses, por dhe që në fytyrë, teksa u përball me deputetët në Komisionin e Rregullores e Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, ku kishte vajtur bashkë me shefin e ri të SPAK dhe një prokurore tjetër, për të marrë ‘lejen’ për arrestimin e zv.kryeministres deputete!
S’po hyj as te debatet në komisionin e Imunitetit në Kuvend, as në përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës për afatin e kërkuar që të shikohet dosja e hetimit nga ana e deputetëve, për të qënë më të qartë në formatimin e raporteve, që për hir të së vërtetës u pa me sy të lirë se komisioni do të dalë me dy raporte për t’i votuar në Kuvend! Dy gjëra na bënë më shumë përshtypje, pa pasur të drejtë t’i japim vetes monopolin e së vërtetës, në atë që mundëm të konstatojmë me sy të lirë! E para, kujdesi i prokurorëve por dhe i Kuvendit për ruajtjen e sekretit të dosjes hetimore, pra që të mos rrjedhin informacione në publik përmes mediave, që cënojnë hetimin! Na u duk shqetësim i kotë në fakt, pasi informacionet për këtë dosje kanë rrjedhur ende pa shkuar dosja me USB në Kuvend! Kanë rrjedhur keq fare, madje dhe informacione jashtë dosjes hetimore, biseda të Ballukut me vartësit etj-etj! Fashikuj të përzgjedhur në fakt! Kështu po komentohen!
Elementi i dytë që na bëri përshtypje në këtë hetim gati 1-vjeçar, është numri i madh i faqeve! Plot 16 mijë faqe kompjuterike, sipas prokurorëve të posaçëm, që duhet të lexohen për 5 ditë!
Tani, mbahemi që jemi marrë dhe me me letra, dhe në një llogari të shkurtër arithmetike, i bie që prokurori për të kopsitur këtë dosje, ka punuar plot 365 ditë pa asnjë ditë pushim, duke analizuar, qëmtuar, verifikuar dhe shkruajtur 44 faqe kompjuterike në ditë! Janë shumë dhe për një radhitës profesionist, sepse oficeri i BKH që ka hetuar në terren mund të ketë bërë dyfishin e faqeve kompjuterike, ai ia dorëzon bruto prokurorit! Nuk i besoj fare ‘gojët e liga’ që thonë se prokurori ka pasur ndonjë ‘dorë ndihme’. Jemi kategorikë kundër këtyre zërave, por, pavarësisht se dosja ngjan një çikë si një roman policesk, sërish janë shumë faqe! Se dhe ka bërë ndonjë ditë pushim robi, ka ngrënë ndonjë vakt e gjëra të tjera të këtij lloji, pasi s’besojmë se tërë këtë vit prokurori është ‘ushqyer’ me komunikimin e punës në WhatSap të Ballukut e atij drejtorit ‘dru’, Berberi!
Nuk jemi në dijeni se si do të shkojë situata dhe si do të vendoset nga ana e Kuvendit për ‘lejen’ që kërkon SPAK për arrestimin e Ballukut! Por jemi besimplotë se do të bëhet më e mira, pasi në Kuvend ka vërtetë deputetë që kanë qënë prokurorë apo gjyqtarë shumë të mirë dhe që dinë mjaft mirë të ndajnë momentin se ku ndryshon prova nga hamendësimi, fakti nga thashethemi, reagimi nga inati prej reagimit sipas ligjit! Pasi siç thoshte dhe një nga juristët tanë më të mirë në këtë vend, ka qënë ministër Drejtësie ai, se përgjimi dhe zbardhja e komunikimeve përmes Whatsapit, janë në funksion të arritjes tek prova e fakti dhe nuk përbëjnë provë në vetëvete!
Do të bëhej nami, nëse larg qoftë, dikush nga këto organet e tjera ligjzbatuese jashtë ‘radarit’ të SPAK, i këput, nëse s’ia ka këputur akoma, një përgjim këtyre komunikimeve mes prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm! Njerëz janë dhe ata, hanë, pinë, jetojnë dhe kanë jetën e tyre sociale! Do të na kthehej vendi në një ‘poker përgjimesh’ të gjithë kundër të gjithëve, me përplasje mes institucioneve dhe garë kush përgjon më shumë, duke lënë vendin zbuluar dhe duke u marrë me njëri tjetrin dhe shfryrjen e inateve mes tyre! Ka ndodhur në SHBA herë pas here një gjë e tillë, dhe nuk është se ka kaluar pa pasoja, por ata kanë institucione të konsoliduara, jo si tek ne që institucionet janë allasoj!
Çështja e dytë që ka troditur jetën politike e publike në Shqipëri është hetimi dhe masa e arrestit në shtëpi të Drejtoreshës së Përgjithshme të AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj Hava Delibashi si dhe disa biznesmenëve të lidhur me ta sipas akuzës, të dyshuar për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi kriminal. Pak kontradiktore si akuzë, dhe në marrëdhënie me masën e arrestit që është dhënë, por këto janë punë të prokurorit e gjykatësit të posaçëm! Ka dhe emra biznesmenësh të përzier në këto tenderat sekretë sikurse përcaktohet në dosjen hetimore! Për ndonjërin, di më shumë vetë Gaz Bardhi!
Për hir të së vërtetës goditja e SPAK, pezullimi që ndërmori ndaj Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, Energjetikës dhe Industrisë por dhe ndaj kupolës drejtuese të ASHKI-t, ndoshta pa dashje e me qëllimin e mirë të hetimit të dyshimeve për pabarazi në tendera apo korrupsion, janë goditur ‘zinxhiri komandues’ i dy institucioneve të Sigurisë Kombëtare! Kjo e AKSHI-it, duke na lënë dhe zbuluar përballë luftës hibride dhe sulmeve kibernetike nga vendet jo-mike dhe armike! Kështu ndodhi dhe me bashkinë e Tiranës, më herët! Sipas Kushtetueses bashkia e ka kryetarin e s’ka nevojë për zgjedhje para kohe, por praktikisht me urdhër e vendim të SPAK-GJKKO, bashkia Tiranë s’ka kryetar! Veliaj është në paraburgim!
Por akoma më keq, dëmi bëhet akoma më i madh pasi nuk po futen të ardhurat e buxhetit të shtetit në punë për investime madhore, pasi kanë nisur të refuzojnë firmosjen! Nuk do të jetë e largët dita kur administrata shqiptare do të mbetet dhe pa letër higjenike, pasi askush nuk pranon të firmosë, nga frika se SPAK të fut në paraburgim dhe pas një viti të ngre akuzën, nëse do të kenë fat të gjejnë rrugës ndonjë provë apo fakt, pa iu ‘dorëzuar’ akuzës për shpërdorim detyre, si akuzë ‘shpëtuese’ në fund të herës! Siç ndodhi me Saimir Tahirin. Pritet të ketë një kolaps dhe në rekrutimin e të rinjve në administratë, pasi askush nuk pranon të fillojë jetën nga ‘dera’ e SPAK dhe GJKKO, si i pandehur për një firmë! Prandaj janë orientuar më shumë tek puna në privat!
Nga ana tjetër, fuqia e tepërt e SPAK, duam të theksojmë institucioni më i lartë i hetimit është palë dhe përfaqëson akuzën e shtetit kundër një fenomeni, që ka përballë palën tjetër, avokatin dhe të hetuarin dhe është gjykata ajo që bën drejtësi në këtë vend, pra fuqia e tepërt që ka marrë SPAK edhe përmes ligjit e Kushtetutës të bërë me sy mbyllur në vitin 2016, përpos suksesve në luftën kundër krimit e korrupsionit, përpos furnizimit me material të disa mediave dhe ‘shuarjes’ së ‘etjes për gjak të publikut’ përmes hedhjes së të hetuarve në mes të turmës së uritur për linçim e gjykim publik, apo mbushjes së statistikave me numra të paraburgosurish, më të lartat në Europë për frymë popullsie, bën dhe dëme! Aq më tepër kur institucioni i akuzës është jashtë kontrollit, dhe prokurorët nuk ka kush i kontrollon, ata ‘vetëpastrohen’ duke kontrolluar njëri tjetrin! Dihet se si bëhet kjo punë! Rumania ka një dekadë që nuk po e merr veten! Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ishin buzë kolapsit, dhe ende se kanë marrë veten!
Të paktën Parlamenti duhet të ndryshojë atë nenin, i pangjashëm me asnjë vend demokratik në botë por vetëm me kohën e Enver Hoxhës, atë që Prokurorët kanë të drejtë të kontrollojnë gjyqtarët që nga puna e deri në krevat, që nga komunkimet e deri tek jeta private, duke i përgjuar dhe kontrolluar deri në qelizë, si dhe me ligj japin vlerësimin për ta! Pra vendosiun për karrierën e tyre! Si mundët që një gjyqtar i GJKKO të japë vendim kundër asaj që kërkoin prokurori i SPAK, kur ky prokuror i përcakton karrierën! E tha Altin Dumani në një moment sinqeriteti, që gjyqtarët nuk i kundërshtojnë kërkesat tona, vendosin të njejtin dëmin që kemi kërkuar ne!
Ky Komisioni parlamentar që ka marrë në dorë ristrukturimin përmes ndryshimeve konform sygjerimeve të BE te drejtësia, duhet ta ndajë me ligj Prokurorinë nga Gjykata, jo ta lërë Gjykatën e Posaçme apo të Apelit në ‘kthetrat’ e prokurorisë së Posaçme si në kohën e Enverit! Përndryshe, fuqia e pakontrolluar e prokurorëve të SPAK, do të vijojë të përdoret si një ‘lodër’ e rrezikshme në duart e tyre, pa asnjë limit duke bërë në fund të herës më shumë dëme se dobi! Akoma më keq, kur janë të inatosur! Do të mbushen burgjet me të paraburgosur dhe Strasburgu me ankesa për këto paraburgime! Mbi 8 mijë qytetarë janë ankuar sivjet për prokurorët dhe gjykatësit në ILD dhe presin përgjigje për shqetësimet e tyre! Nëse do të ketë!
Pasi të ‘pavarësohet’ gjykata dhe të jetë në gjendje të bëjë drejtësi pa pasur frikë se prokurorët mund t’i shuajnë karrierën, atëherë prokurorët dhe gjyqtarët t’i nxjerrin ‘ujin e zi’ korrupsionit në rastin konkret, ta ‘rëndojnë’ sa të mundin dorën ndaj kujtdo zyrtari të lartë që vë dorë mbi paratë e shtetit, pa shikuar aspak se cilit krah politik i përkasin, t’i plasë në burg me prova dhe fakte, të cilat në fund të herës vendosen nga gjykata si të vlefshme për akuzën, dhe të marrin dënimin e merituar! Kjo është drejtësia që besojmë e kërkojmë ne shqiptarët, jo ajo që vepron për statistikë!