Nga Namir Lapardhaja
Dosja e publikuar e aferës korruptive të AKSHI-t do ishte një arsye madhore që shqiptarët të kishin vërshuar në sheshet e çdo qyteti, jo vetëm në Tiranë, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë. Jo vetëm të kërkonin ndryshim, por t’i bënin ‘presion’ pozitiv drejtësisë që ta zbardhte të gjithë skemën dhe t’i shkonte deri në fund për të parë degradimin e një pushteti që vihet në shërbim nga elementë të inkriminuar të botës së errët të krimit, të cilët pastaj i përdorin zyrtarët e shtetit sikur t’i kishin vartës të tyre.
Kujtojmë se nga data 11 janar deri në 21 janar 2011 u deshën vetëm 10 ditë që njerëzit nga e gjithë Shipëria të mbushnin sheshin përpara kryeministrisë për të protestuar kundër aferës korruptive Meta-Prifti. Të mendosh se shifra e përfolur në videon e publikuar në atë kohë nga emisioni Fiks Fare duket krej qesharake vetëm me shifrën e verës së një prej të akuzuarve të skandalit të AKSHI-t.
Pavarësisht kësaj, ajo aferë dhe ai publikim prodhoi një zemërim real, ndonëse me fund të dhimbshëm dhe tragjik. Fakt është që protesta kishte masivitet, kishte reagim publik, kishte një shkak-pasojë të prekshme dhe reagimi ishte i gjallë.
Sot jemi në kushte të tjera, ku korrupsioni është sofistikuar dhe ka shkuar në nivele të larta, ndërkohë që reagimi jo vetëm mungon, por siç u pa në protestën e thirrur prej Berishës, duket sikur asgjë nuk ndodh në këtë vend.
E vërteta është se pakënaqësia popullore është shumë më e madhe se sa ‘pakënaqësia’ që arrin të mbledhë Berisha në bulevard.
Skandalet e ndodhura së fundmi janë histori me para publike, me vendimmarrje të errëta, me dyshime të forta për korrupsion strukturor. Janë arsye të mjaftueshme që njerëzit të ngrihen dhe të reagojnë, por kjo nuk ndodh.
Arsyeja është mungesa e shpresës, sepse kemi një opozitë që nuk frymëzon dhe kjo mungesë frymëzimi nuk mund të mobilizojë njerëz dhe të krijojë frymë. Një opozitë që perceptohet si e marrë peng për hallin e një njeriu nuk mund të shndërrohet në magnet për zhgënjimin e shumë njerëzve.
Kjo nuk është vetëm fatkeqësi e opozitës shqiptare, por është e qytetarëve shqiptarë.
Pa një forcë politike ku të projektohet shpresa, zemërimi shndërrohet në apati, zhgënjimi në heshtje dhe padrejtësia në normalitet. Qytetarët nuk dalin më në rrugë jo sepse nuk u dhemb, por sepse nuk besojnë se dalja e tyre prodhon ndryshim.
Prandaj, protesta e 22 dhjetorit ishte e dënuar të dështonte dhe të shënohej vetëm në kalendarin e protestave popullore të opozitës, që të ketë nesër ‘material’ për të folur në mbledhjet me militanët e saj.
Dështoi jo se mungon arsyeja për të reaguar, por sepse mungon besimi dhe këtë besim askush nuk e ka vrarë më shumë sesa vetë Sali Berisha dhe PD që ka ngel e mbledhur pas tij.




















