Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas publikimit të dosjes së GJKKO-së, lidhur me skandalin e AKSHI-t dhe mënyrën se si, sipas saj, është qeverisur Shqipëria.
Tabaku e cilëson dosjen si provë të një shteti tërësisht të inkriminuar, ku vendimmarrja reale nuk ka ndodhur në institucionet zyrtare.
“Ajo që shumica e shqiptarëve ka lexuar këto ditë nga dosja e GJKKO-së, është dëshmia tronditëse jo e një shteti të kapur, por e një shteti tërësisht të inkriminuar.
Kjo dosje vërteton atë që dyshohej: Shqiptarët realisht janë drejtuar nga një “Zëvendëskryeministër në hije”, i cili aktualisht është në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që qeveria bënte shfaqje, miliona euro tendera publikë, emërime kyçe, por edhe politika strategjike si ajo e “Pasaportave të Arta”, e kishin origjinën dhe vulën pikërisht në zyrën e këtij zv.kryeministri në hije, tek “EA Tobacco”.
Pikërisht aty:
Përcaktoheshin fituesit e tenderave të AKSHI-t.
Vendosej fati i politikave shtetërore;
Kryheshin takimet “brainstorming” të Agasit me vasalët e tij shtetërorë.
Rrezik, e me shumë gjasë, edhe projekte të tjera madhore për të cilat krenohen mban përgjegjësi kanë dalë nga këto zyra të errëta dhe jo nga mbledhjet e qeverisë”, shkruan Jorida Tabaku.





















