Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë një goditje të fortë përpjekjeve të administratës Trump për të përdorur forcën ushtarake në qytetet amerikane, duke refuzuar kërkesën për vendosjen e Gardës Kombëtare në Çikago.

Vendimi i marrë të martën shënon një pengesë të rrallë për Presidentin Donald Trump në gjykatën më të lartë të vendit, e cila, ndonëse e dominuar nga konservatorët, nuk gjeti bazë ligjore për ndërhyrjen e ushtrisë në zbatimin e ligjeve të emigracionit në Illinois.

Vendimi dhe përçarja e gjyqtarëve

Gjykatësit refuzuan të përmbysin vendimin e gjykatëses së distriktit, April Perry, e cila kishte bllokuar vendosjen e trupave. Në argumentimin e shumicës thuhej se: “Në këtë fazë paraprake, Qeveria nuk ka arritur të identifikojë një burim autoriteti që do t’i lejonte ushtrisë të zbatonte ligjet në Illinois”.

Megjithatë, vendimi nuk ishte unanim. Tre gjyqtarët konservatorë, Samuel Alito, Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch, shprehën mospajtimin e tyre, duke argumentuar se gjykata nuk duhej të hidhte poshtë pretendimet e administratës për pamundësi të zbatimit të ligjit pa ndihmën e trupave. Nga ana tjetër, gjyqtari Brett Kavanaugh mbështeti bllokimin në Çikago, por la të hapur mundësinë për vendosje trupash në skenarë të ardhshëm.

Shtëpia e Bardhë kishte argumentuar se trupat ishin të nevojshme për të mbrojtur pronën federale nga “rezistenca e dhunshme”. Kjo i referohej protestave të tensionuara jashtë strukturës së Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Broadview, periferi e Çikagos, ku agjentët federalë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ku javën e kaluar u arrestuan 21 protestues.

Megjithatë, gjykatësja Perry theksoi se nuk gjeti prova për ndonjë “rrezik rebelimi” që të justifikonte ndërhyrjen ushtarake.

Beteja ligjore në të gjithë SHBA-në

Rasti i Çikagos është vetëm një nga shumë fronte ku administrata Trump po përballet me rezistencë ligjore:

Uashington D.C.: Prokurori i Përgjithshëm po padit për të ndaluar vendosjen e mbi 2,000 trupave në kryeqytet.

Kaliforni & Oregon: Gjykatat kanë bllokuar vendosjen e trupave, duke i cilësuar ato të paligjshme.

Tenesi: Një gjykatë shtetërore vendosi në favor të zyrtarëve demokratë për të ndaluar Gardën në Memfis.

Ky vendim i Gjykatës Supreme, ndonëse jo përfundimtar, pritet të shërbejë si precedent për paditë e tjera që sfidojnë autoritetin e Presidentit për të militarizuar qytetet e udhëhequra nga demokratët në emër të luftës kundër emigracionit.